Aktualitet

Exclusive/ Raporti i The Economist për qeverinë dhe opozitën: Kujdes në 24 muajt e ardhshëm!

Në raportin më të fundit për Shqipërinë, “The Economist Intelligence Unit”, “Njësia e Inteligjencës” e revistës prestigjoze britanike “The Economist” analizon zhvillimet ekonomike, sociale e politike. Raporti i siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, një analizë politike për zhvillimet në kampin opozitar të PD-së.

Zoti Berisha i gëzohet mbështetjes së palëkundur të mbështetësve besnikë të PD-së. Pavarësisht kësaj, jashtë PD-së, apelet që ai bën, janë të limituara. Fitorja e tij ka shënuar një ndarje akoma më të thellë brenda PD-së. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e shikojnë Sali Berishën si një forcë shkatërrimtare në politikën shqiptare e në një kontekst më të gjerë rajonal. Në korrik të vitit të kaluar, qeveria Brikanike e ndaloi të hyjë në Britaninë e Madhe, një pasqyrim ky i vendimit të marrë nga SHBA-të në vitin 2021. Ky vendim i Britanisë së Madhe e rrethon me hije kredibilitetin e PD-së, në paraqitjen e kësaj force politike tek votuesit si një forcë politike opozitare.

Për situatën që po kalon Shqipëria pas rritjes së çmimeve, pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë, raporti vlerëson:

Gjatë vitit 2022 u shënua një valë protestash, si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve. Qeveria prezantoi një paketë me masa sociale, megjithatë këto çmime të rritura mund të sjellin një valë me shqetësime. Duke marrë në konsideratë varfërinë dhe besimin e pakët te politikanët, Shqipëria është shumë e pambrojtur nga destabiliteti politik dhe social. Ky rrezik duhet parë për 12-24 muajt e ardhshëm.

Sa i përket mandatit të tretë qeverisës të socialistëve, dokumenti thekson:

“The Economist Intelligence Unit” pret që qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama të kryejë një mandat të plotë deri në vitin 2025.

Për rrugëtimin europian të Shqipërisë drejt BE-së, “The Economist Intelligence Unit” thotë:

Nisja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian është një sukses i konsiderueshëm për Partinë Socialiste në pushtet. Por, niveli korrupsionit dhe krimit të organizuar bën që gjatë kësaj dekade, Shqipëria ta ketë të pamundur, të marrë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ky raport analizon edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës.

Shqipëria do të vijojë forcimin e lidhjeve me Kosovën. Pavarësisht kësaj, politikanët shqiptarë kanë reaguar jo me entuziazëm në atë që ka thënë kryeministri Kosovës, Albin Kurti, se nëse do të mbahet një referendum për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë, ai do të votonte në favor. Edi Rama është kundër kësaj ideje sepse një referendum i tillë do të krijonte destabilitet të brendshëm dhe konflikt me vendet fqinje e do të ndalonte integrimin europian të Shqipërisë./Top Channel