Aktualitet

Falsifikimi i Lekut pësoi rënie vitin e kaluar!

Falsifikimi i monedhës shqiptare pësoi rënie të ndjeshme vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim për vitin 2022 ishte vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot se treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara. Deklaratat e Guvernatorit u bënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Bankës së Shqipërisë, për të luftuar falsifikimin e parasë.

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, vë në dispozicion të institucioneve ligjzbatuese të gjithë përvojën e saj, aftësitë profesionale si dhe bazën e nevojshme teknike në fushën e analizës, identifikimit dhe klasifikimit të çdo monedhe të dyshuar.

Pavarësisht shifrave të ulëta, ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi më vigjilentë dhe proaktivë, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin gjithashtu me hapin e teknologjive të reja për aktivitetet e tyre kriminale. Në këtë frymë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruajnë sot këtë marrëveshje bashkëpunimi, si një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit, në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit.

Në këndvështrimin tonë si bankë qendrore, dokumenti i sotëm ka një rëndësi të veçantë pasi përcakton shtyllat kryesore të veprimtarisë së përbashkët dhe njëkohësisht respekton punën e pavarur institucionale të secilës palë në zbatim të ligjit.

Palët e angazhuara në këtë marrëveshje marrin përsipër të transferojnë mostra të kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara dhe, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë angazhohet të centralizojë ekspertizën dhe klasifikimin e mostrave të monedhave kombëtare apo të huaja të zbuluara në qarkullim, si dhe ato gjatë procedimit penal, duke e konsideruar këtë proces si mënyrën më të mirë për njohjen reale dhe monitorimin e fenomenit të falsifikimit në vendin tonë.

Banka e Shqipërisë, gjithashtu, ka marrë angazhimin që të njoftojë në kohë reale institucionet përkatëse për rastet me monedha të falsifikuara të zbuluara në qarkullim në territorin e vendit tonë. Guvernatori theksoi se kjo marrëveshje e shtrin veprimin e saj jo vetëm mbi monedhën kombëtare Lek, por edhe mbi monedhën e përbashkët evropiane Euro. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane për shkëmbimin e informacionit në fushën e mbrojtjes së kartëmonedhës Euro nga falsifikimi.

Ndër vite, roli i Bankës së Shqipërisë në analizën e kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara në qarkullim ka mundësuar gjithashtu krijimin e një baze me të dhëna historike, të cilat përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, por që mund të përdoren nga institucionet pjesë e kësaj marrëveshjeje në punën e tyre të përditshme në luftën kundër fenomenit të falsifikimit. Sipas Guvernatorit, firmosja e kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë Bankën e Shqipërisë në ushtrimin e rolit të saj në garantimin e stabilitetit të sistemit financiar në vend dhe cilësisë së monedhës kombëtare në qarkullim.