Aktualitet

Fëmijët në vendin e parë, Kodi Rrugor parashikon gjoba deri në 15 mijë lekë e heqje patente!

Të gjithë drejtuesit në vendin tonë, që në automjetin e tyre kanë një fëmijë të moshës nga 0 deri në 12 vjeç, nga Policia Rrugore do të ndëshkohen me gjobë e cila varion në shumën nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, nëse konstatohet se të vegjlit qëndrojnë në makinë pa rripin e sigurimit, në sistemet e fiksimit.

Por, penalitetet nuk përfundojnë me kaq. Nëse kjo shkelje është e përsëritur nga drejtuesi i mjetit, atëherë ai rrezikon edhe pezullimin e lejes së drejtimit për një periudhë nga 6 në 12 muaj. Për Top Channel, eksperti rrugor Artur Sulçe shprehet:

Ka penalitete që janë gjobë, në një vlerë të caktuar dhe nëse përsërit, pastaj je recidivist ka akoma penalitete më të ashpra. Në këtë këndvështrim, nuk është elementi penalitet për mungesën e sigurisë së fëmijës tënd, është e ardhmja jote. E ardhmja jote duhet patjetër të sigurohet. Kultura dhe logjika është që pajisja duhet përdorur sepse rrit mundësitë që edhe nëse përfshihesh në një aksident, fëmija të mos ketë dëmtime.

Problemi nuk qëndron te Kodi Rrugor, por te mentaliteti i shoqërisë sonë. Sipas ekspertit rrugor, Artur Sulçe, prindërit ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e këtij sistemi fiksimi.

Parimisht ka një problem me këtë, se kultura jonë e sigurisë rrugore nuk është në atë nivel që njerëzit ta kuptojnë që kjo duhet. Dhe ju keni parë, unë e kushdo në qytetin e Tiranës, ne kemi parë dhe prindër që i mbajnë fëmijët e vegjël te timoni. Unë sugjeroj që fëmija duhet të rrijë tek sexholino, te pjesa e vet mbrapa që për çdo ngjarje, nëse fëmija është në sexholino, atëherë e ardhmja është e sigurt.

Rritja e numrit të aksidenteve rrugore në vendin tonë, vjen si pasojë e shofereve të papërgjegjshëm, të cilët me parakalimet e gabuara dhe mungesën e rripit të sigurimit vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, por edhe të të tjerëve./Top Channel