Aktualitet

Festat e fundvitit, fluks turistësh në portin e Durrësit, në Kapshticë e Qafë-Thanë!

Mbi 9500 persona kanë mbërritur në Durrës për festa gjatë 48 orëve të fundit në portin e Durrësit.

Afrimi i festave të fundvitit sjell një numër të lartë udhëtarësh që zgjedhin transportin detar për të mbërritur në vend. Janë kryesisht anëtarë të diasporës shqiptare që kthehen plot mall për të festuar në atdhe me të afërmit e tyre, por nuk mungojnë as të huajt. Paraditen e së shtunës me 2 tragete të linjës Bari- Durrës mbërritën 2500 persona, ndërsa deri në mbrëmje priten edhe 3 tragete të tjera.

Nga data 21 dhjetor, tragetet e linjës Durrës-Bari kanë nisur lundrimet e dyfishta dhe masa shtesë janë marrë nga të gjithë operatorët portualë për të përballuar këtë fluks dhe rritur sigurinë në port.

Tauland Allka, Kapiten i portit detar Durrës, shprehet se kjo fundjavë pritet të shënojë pikun e mbërritjeve në port, por fluks do të ketë dhe në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor, ndaj autoritetet si Kapiteneria, Policia Kufitare, APD dhe Dogana kanë marrë masa për rritjen e sigurisë dhe shtimin e sporteleve për të mos krijuar vonesa të udhëtarëve.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kapshticë kanë hyrë 5518 shtetas dhe kanë dalë 2185. Në Qafë-Thanë kanë hyrë 2145 shtetas dhe kanë dalë 2512.

Sot dhe nesër pritet fluks sidomos në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Për të përballuar fluksin pala shqiptare ka punuar me 4 sportele në hyrje dhe 2 sportele në dalje.

Numri i sporteleve alternohet në varësi të fluksit.