Aktualitet

Fitër Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin/Mesazhet!

Pas 30 ditëve agjërim dhe falje, si në mbarë botën edhe besimtarët myslimanë shqiptarë festojnë Fitër Bajramin. Një orë pas lindjes së diellit të shumtë ishin ata që falën Namazin e Fitër Bajramit, që ndryshe njihet si festa e mbylljes së agjërimit. Në Tiranë, sërish u mblodhën në sheshin “Skënderbej”. Në të gjithë vendin u falën duke mbushur sheshe, pallate sporti e stadiume.

Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili tha se “Zoti i gjithësisë qoftë i kënaqur me ne dhe na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar, të cilin po e përcjellim sot”.

Koha në të cilën po jetojmë na ka vënë përballë sfidash të shumta. Familja nuk po përjeton ditët e saj më të mira. Dhuna brenda saj është një fenomen që të trazon shpirtin. Njerëzve që kanë humbur durimin, iu bëj thirrje të ndalin agresivitetin e të qetësojnë shpirtrat e tyre duke u kthyer nga e mbara, nga rruga e Zotit. Mos i prekni gratë, ato janë shpirti i bërthamës së shoqërisë, familjes. Po jetojmë në një kohë krize morale, që kërkon përkushtim, besim te Zoti për ta tejkaluar.

Fenomene si emigracioni dhe ulja e lindshmërisë po e mpakin familjen. T’i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit e harmonisë, të punojmë për të ecur para, që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e rinisë, dëshirat e prindërve. Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme.

Iu bëj thirrje të rinjve, mos e braktisni vendin tonë! Rezistoni përballë çdo vështirësie! Prindërit, shoqëria, Shqipëria ka nevojë jetike për ju. Qëndroni në vendin tuaj dhe punoni për ta bërë më të mirë e më të begatë!

Për besimtarët myslimanë dita nisi herët me ndarjen e Sadaka Fitrit për të varfrit dhe më pas me grumbullimin në shesh. Namazi i Bajramit është një detyrim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhamedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.

Besimtarët veshin rroba të reja për Bajram, vizitojnë të afërmit dhe miqtë e përshëndeten me njëri-tjetrin duke uruar “Gëzuar Fitër Bajramin!”.

Embëlsirat përgatiten dhe shpërndahen me pjatën kryesore që është sewayi – kadaif i pjekur, i gatuar me qumësht dhe i servirur me fruta të thata.

Ndryshe nga Kurban Bajrami (i cili fokusohet te mishi), Fitër Bajrami festohet me ëmbëlsira tradicionale të quajtura gjithashtu Meedhi Eid. Pas drekës së bollshme me familjen, dita mbyllet me vizita tek miqtë e të afërmit.