Aktualitet

“Flasim”, historia frymëzuese e Emiljano Lules dhe nisma më e fundit!

“Me sytë e shpirtit” ishte titulli i episodit të 10-të të sezonit të tretë të Podcast-it “FLASIM” të kryeministrit Edi Rama. Në këtë episod, i ftuari i radhës i shefit të qeverisë shqiptare ishte Emiljano Lule, drejtor i Institutit të Nxënësve që nuk Shohin. Ndërsa folën për sfidat që shoqërojnë përditshmërinë e një personi të verbër, kryeministri Rama vlerësoi se Lule ka ndërmarrë disa nisma të bukura në institutin e drejtuar prej tij.

Një prej tyre është edhe nisma më e fundit “Zëri mund të shkoj atje ku shikimi nuk mundet” e ku dhjetëra gjimnazistë, si edhe personazhe publike e politikanë kanë “dhuruar” zërin e tyre, duke lexuar materiale të cilat u vijnë në ndihmë personave që nuk shikojnë.

Lule tha me trajnimet për mësuesit ndihmës si dhe me krijimin e platformave audio në mësimdhënie duke nisur nga mosha 6 vjeç, pretendohet se zgjidhet problemi i komunitetit të nxënësve që nuk shikojnë. Më tej, u ndal për të treguar një fakt të dhimbshëm të jetës së tij e që lidhet me vitin e trazirave në Shqipëri, 1997-ën. Teksa theksoi se ai nuk ka lindur i verbër, rrëfeu se humbi shikimin në moshën 15-vjeçare.

Kam pasur fatkeqësinë që të gjendem në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, në vitin 1997. Në moshën 15 vjeç duke luajtur me një detonator, ndodhi një shpërthim dhe një cifël metali më hyri në sy. Por, mjekët thanë se shikimi im nuk ishte dëmtuar dhe unë do të bashkëjetoja me këtë.

Por, kjo nuk ishte e gjitha dhe fatkeqësisht, gjërat nuk kishin përfunduar këtu për Emiljanon. Lule tregoi se si 4 vite më pas, ai vendosi që të operohet në kryeqytetin rus Moskë, për të hequr ciflën e metalit, një operacion në të cilin u fut me 100% shikim dhe nga i cili doli i verbuar. Por, kjo nuk e bëri të dorëzohej e tha se gjeti forcën dhe optimizmin për t’ia dalë e për t’u kthyer në burim frymëzimi për të tjerë.

Historia e jetës sime tregon se edhe në këto kushte, mjaftueshëm mund të gjesh forcë dhe optimizëm për t’ja dalë dhe frymëzuar këdo që ke rreth vetes.