Celebrities Music Showbiz

“Fundi i një dashurie të pafund…” Klint Çollaku zbulon të pathënat e projektit të tij “Shihemi n’kujtime”!

Klint Çollaku, një ndër artistët më të talentuar të tregut muzikor shqiptar, ka sjellë së fundmi projektin e tij më të ri “Shihemi n’kujtime”. I ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up”, Klinti na ka zbuluar disa detaje lidhur me këtë këngë, por edhe disa të pathëna të patreguara më parë…

Si ishte të xhiroje videoklipin në qytetin e dashurisë, në Paris?

Ishte shumë qejf, kjo ishte hera ime e parë në Paris. Ishte një qytet që ta impononte dashurinë që duhet të ndieje. Disavantazh ishte vetëm i ftohti. E mbaj mend si një gjë shumë të bukur këtë eksperiencë.

Si lindi vetë kënga “Shihemi n’kujtime”?

Kënga është punuar nga tre miqtë e mi. Na kapi një frymëzim, baza e këngës është bërë vetëm për 30 minuta. Ne e njohim njëri-tjetrin dhe ramë për çdo gjë dakord.

A është ky projekt një dedikim apo një histori personale e jotja?

Nuk është historia ime, por është një histori që na ka frymëzuar dhe e njohim. Thelbi i këngës është që t’i japim një fund një historie të pafundme. Kur e kam kënduar në studio kam menduar historinë time që është e ngjashme si kjo histori. Është një këngë që shumë mund ta gjenë veten shumë persona.

A e gjen veten më shumë tek baladat?

E gjej veten aty ku ndihem rehat më shumë. Më shkojnë më shumë baladat dhe ndihem sikur nxjerr më shumë vlera të vetes sime. Por mua më pëlqen të eksperimentoj. “Shihemi n’kujtime” nuk është një baladë tipike, pasi ne nuk kemi dashur të transmetonim vuajtje. Edhe pse është fundi i një dashurie, ti duhet ta lësh ta shkojë.

A të duket i vështirë tregu muzikor shqiptar?

Ka vështirësitë e veta por jam mësuar. Kjo është rruga që kam zgjedhur dhe i kam marrë përsipër të gjitha. Jam munduar të shoh vetëm anët pozitive. 

Çfarë mendon të sjellësh diçka të re nga vetja jote në të ardhmen?

Ëndrra e çdo artisti do ishte të bënte një album të vetin. Por do shumë punë. Si fillim e mira do ishte të sillja një EP dhe të sillja më të mirën time. Më ka pëlqyer EP e Elvana Gjatës, ishin këngë të ndjera dhe të punuara shumë mirë.

Si lindi pasioni yt për muzikën, kush e zbuloi këtë talent tëndin fillimisht?

Në klasë të dytë na kërkuan që të zgjidhnim një formë arti ku e gjejmë veten. Shumica shkonim me piktura, kurse unë zgjodha një këngë. Tani nuk më kujtohet si ishte.

Nëse edhe juve ju pëlqen “Shihemi n’kujtime”, ju mund të vazhdoni ta votoni për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”, në Top Awards.