Aktualitet

Furrat e bukës dhe pastiçeritë rrezikojnë të mbeten pa punonjës/Punësime nga vendet aziatike dhe rajoni!

Prodhuesit e bukës, të specialiteteve të brumërave të ndryshme dhe pastiçerive po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.

Në pamundësi të zgjidhjes për plotësimin e vendeve të lira me vendas, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të industrisë që me rritjen e pagave, furrat dhe pastiçeritë e vendit janë duke shqyrtuar mundësitë për punësimin e të huajve.

Për Monitor, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia tha se “prej vitesh sektori vuan mungesën e specialistëve të prodhimit të brumërave e ëmbëlsirave, por sivjet problematika shfaqet tepër e mprehtë”. Peshkopia pohon se “shkak i mungesës së lartë të fuqisë punëtore të specializuar mbetet emigracioni i popullatës”.

Përballë kësaj situate, sipërmarrësit e prodhimit të brumërave dhe ëmbëlsirave po shqyrtojnë mundësinë e punësimit të punonjësve të huaj  nga vendet aziatike e të rajonit.

Sipas të dhënave të shoqatës, në vend operojnë 8 mijë deri 10 mijë furra buke e pastiçeri, ku secila prej tyre po vuan mungesën e fuqisë punëtore.

Mungesa e fuqisë punëtore të specializuar në prodhimin e brumërave dhe ëmbëlsirave kërkon zgjidhje imediate. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga sektori që nisi me rritjet e herëpas’hershme të pagave, pothuajse të gjitha furrat në vend po hasin vështirësi me gjetjen e fuqisë punëtore. Për këtë arsye, bizneset prodhuese tashmë janë të hapura për shqyrtimin e mundësive për punësimin e specialistëve të huaj me eksperiencë të ngjashme qoftë nga shtetet aziatike dhe ato të rajonit.

Prej muajit shtator të vitit të kaluar, për shkak të mungesës së punëtorëve shumë furra buke në vend janë detyruar të rrisin pagat deri në 80%, me qëllim mbajtjen e profesionistëve. Sipas shoqatës për pozicionin e furrxhiut, profesioni më kyç në prodhimin e brumërave, pagat variojnë nga 60 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në muaj. Rritje e lartë pagash është bërë edhe për punonjëset e pastrimit në nivelin 70 deri 80%.

Mungesa e fuqisë punëtore po shton kostot edhe te prodhuesit e bukës. Rritjet e pagave, vjet vështirësuan gjendjen te disa furra buke, të cilat rritën çmimet e bukës 10 deri 20 lekë.

Problematika e mprehtë e fuqisë punëtore tashmë është prezente në të gjithë sektorët e ekonomisë. Më herët edhe prodhuesit e pijeve freskuese pohuan se po shohin mundësitë e punësimeve të huajve edhe pse fillimisht industria nguroi për shkak të problematikës me largimet e të huajve.

Në nisje të sezonit turistik, këtë vit, sektori i bareve dhe shërbimeve u përball me mungesa prej 15 mijë punonjësish. Edhe sektori i manifakturës po përballet me mungesë të lartë të fuqisë punëtore. Pro Eksport Albania tha për Monitor se për muajt janar-qershor 2023 u punësuan 450 gra nga Nepali dhe Filipinet për plotësimin e mungesës me punëtorët vendas. /Monitor