Aktualitet

GJKKO rrëzoi kërkesën e Berishës dhe Malltezit për ndryshimin e masës së sigurisë, reagon avokati!

Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të mbeten në arrest shtëpiak. Kërkesa e radhës e tyre për liri në Gjykatën e Posaçme është rrëzuar nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Në kërkesën e drejtuar gjykatës avokatët e Berishës dhe Malltezit ata argumentonin se në këtë fazë që ndodhet hetimi janë zbutur nevojat për mbajtjen e tyre në masën “arrest shtëpie” dhe për këtë arsye kërkonin vendosjen e një mase me të lehtë.

Sali Berisha dhe dhëndri  i tij Jamarbër Malltezi ndodhen prej muajsh në masën arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve për të njëjtën dosje.

Disa herë gjykata u ka thënë jo kërkesave te tyre për ndryshim mase, por avokatët e dy të akuzuarve nuk heqin dorë nga këto kërkesa duke iu drejtuar thuajse çdo javë gjykatës për të mundësuar lirinë për dy klientët e tyre. Ndërkohe që prokuroria e Posaçme ka kundërshtuar në të gjitha rastet ndryshimin e masave duke kërkuar vazhdimin e tyre ne arrest shtëpi.

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka folur për mediat pasi GJKKO rrëzoi kërkesën e tyre për ndryshimin e masës së sigurisë, duke theksuar se “SPAK gjatë gjithë hetimeve nuk ka asnjë provë të re”.

Gjokutaj u shpreh se sipas tij, Gjykata ka vendosur mbi një dispozitë të shfuqizuar gjashtë vite më parë, sa i përket takimeve me persona të tjerë që mund të zhvilloj Berisha.

Sipas tij, Kodi i ri nuk parashikon se komunikimin e Berishës duhet të jenë vetëm me personat që bashkëjeton.

 “Gjykata shpalli vendimin për të dy duke rrëzuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë. Kërkimet tona nuk do të shterojnë, duke pasur synim ndryshimin e masës. Një nga elementët bazë të kërkesës sonë është se kjo gjykatë ka vendos mbi një dispozitë të shfuqizuar gjashtë vite më parë. Kodi i ri nuk parashikon komunikimin e zotit Berisha vetëm më personat që bashkëjeton, kjo është depozita e vjetër, e reja ka ndryshime që mund të takohet edhe me të tjerë. Një tjetër çështje është se SPAK, gjatë gjithë hetimeve nuk ka asnjë provë të re”, tha Gjokutaj.

Sipas avokatëve të Berishës dhe Malltezit, në këtë fazë që ndodhet hetim, janë zbutur nevojat për mbajtjen e tyre në masën “arrest shtëpie”, e për këtë arsye u kërkua vendosja e një mase më të lehtë.