Aktualitet

Gonzato: Sulmet ndaj gjyqësorit nuk janë të denja për një vend demokratik!

“Nuk mendoj se sulmet ndaj gjyqësorit janë të denja për demokracinë. Kemi folur kështu që dua ta lë me kaq”. Nga Vlora ku mori pjesë në një aktivitet për të rinjtë, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato bëri këtë deklaratë për sulmet e fundit të ashpra të Ilir Metës ndaj SPAK-ut e kryeprokurorit të posaçëm, Altin Dumani. Një ditë më parë, ishin ambasadat e Shteteve të Bashkuara e Britanisë që iu dolën në mbrojtje.

Po ashtu, sulmet e Metës ndaj Dumanit u dënuan edhe dje nga Delegacioni i BE në Tiranë ku në një reagim thuhej:

Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sot në seancë plenare, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se opozita duhet të “sjellë në binarë” dy liderët politikë, “njëri që sulmon SPAK-un nga maja e ballkonit dhe tjetri që është pushtuar nga deliri duke “kafshuar” SPAK-un”. Referuar Sali Berishës e Ilir Metës, Spiropali u shpreh:

Këtë opinion për baballarët në majë të thanës, njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK-ut dhe tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK-un dhe kreun e SPAK-ut nëpër ekrane, a keni një opinion për këtë?

Të dy baballarët tuaj as i përmendni, që të dy presidentë të kësaj republike, të dy kryeministra të këtij vendi, të dy bela të këtij populli. Ju s’mund të shpreheni. Na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre? Në emër të tyre vini sot këtu dhe na tregoni gishtin për drejtësinë. Juve ju gënjen mendja dhe mund të hani thana në pemët e tyre e t’i vilni votat në koshin e popullit duke i mbajtur të dy ata mbi supe, siç mbanin shërbëtorët një kohë mbretërit.

Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani kuvendin peng. Çfarë është SPAK-u për ju? Kur SPAK-u godet baballarët tuaj është organizatë kriminale.