Aktualitet

Harta gjyqësore, Meta: Institucionet të rishohin draftin e KLGJ-së!

Presidenti Ilir Meta ka shprehur qëndrimin e institucionit të Presidencës në lidhje me shqetësimet e bëra publike rreth “Hartës së Re Gjyqësore”. Presidenti u kërkon institucioneve të përfshirë në hartën gjyqësore, KLGJ-së, KLP-së, Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjitha institucioneve të tjera të rishikojnë draftin e KLGJ-së.

Përsëris kërkesën që vëmendja e KLGJ-së, KLP-së, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë, dhe të gjitha institucioneve të tjera përgjegjëse, të përfshira dhe/apo të lidhura me këtë çështje, duhet të jetë e shtuar në këtë drejtim, për të respektuar parimet dhe detyrimet kushtetuese, duke hartuar e implementuar masa konkrete, të prekshme dhe objektive në funksion të realizimit të një shërbimi publik në gjykata, sa më cilësor, sa më pranë qytetarit, dhe përmes një kostoje të pranueshme në përputhje me zhvillimin dhe gjendjen ekonomike, duke rishikuar draftin që KLGJ propozon për riorganizimin e sistemit gjyqësor.

Sipas Metës, “situata nuk zgjidhet me shkrirje drastike të gjykatave në gjithë vendin”.

Shkrirja e një numri kaq të madh të Gjykatave të Shkallës së Parë në Rrethe (13 gjykata) dhe Gjykatave të Apeleve (5 gjykata), me justifikimin se nuk ka gjyqtarë, nuk është zgjidhja as më e mirë, as më e përshtatshme, dhe kurrë sesi nuk mundet të jetë në përputhje me standardet europiane. Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017, dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem. Komiteti Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka konstatuar dhe bërë prezent për gjithë opinionin publik  se, vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta, si dhe me keqardhje konstaton se ky vendim është në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

Sipas Presidentit, protesta ndaj draftit të hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ, tregon qartësisht se sugjerimet e avokatëve shqiptarë, vetëm janë administruar, por nuk janë marrë në konsideratë.

Në datë 10 qershor 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë publik se, ka miratuar aktin mbi “Hartën e Re Gjyqësore”, ku sipas njoftimit të Këshillit, ky akt është produkt i konsultimeve, sugjerimeve dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Vet fakti që, prej datës 14 qershor 2022, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ka nisur një proces të bojkotimit të të gjithë seancave gjyqësore deri në datë 17 qershor 2022, në shenjë proteste ndaj draftit të hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ, tregon qartësisht se sugjerimet e Avokatëve Shqiptarë, vetëm janë administruar, por nuk janë marrë në konsideratë. Kësaj strukture të rëndësishme për sistemin e drejtësisë (Dhomës Kombëtare të Avokatisë), mund t’i jetë marrë mendimi, por duket qartë se komentet e dhëna prej saj, nuk janë shqyrtuar sinqerisht dhe objektivisht. Është e qartë se Këshilli i Lartë Gjyqësor, në draftimin dhe miratimin e Hartës së re Gjyqësore, është udhëhequr më shumë nga tensioni dhe/apo ngutja që kanë krijuar vakancat e mëdha në sistemin gjyqësor, pra mungesa e gjyqtarëve, dhe jo nga garantimi i një drejtësie sa më eficiente, që jepet në kohë, për qytetarët dhe e prekshme për ta dhe mbrojtësit e tyre.

Meta e konsideron “urgjente” plotësimin e vakancave të krijuara në sistemin gjyqësor.

Si President i Republikës, prej më shumë se 3 vitesh kam kërkuar zyrtarisht dhe kam përsëritur thirrjen në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioneve të tjera qeverisëse të sistemit të drejtësisë, por dhe aktorëve dhe institucioneve të tjerë vendimmarrës se, duhet të angazhohen me seriozitet dhe me ritme më të shpejta për të plotësuar të gjitha vakancat e krijuara në sistemin gjyqësor. Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie të pavarur, por dhe plotësisht funksional dhe eficiient. Qytetarët presin drejtësi dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme. Funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë dhe plotësimi i vakancave të shumta të krijuara në këto gjykata është me rëndësi jetike për vendin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Edhe pse kjo pjesë e sistemit të drejtësisë (Gjykatat e Apelit) prej kohësh është pranuar nga KLGJ dhe aktorët e tjerë se po shkon drejt kolapsit të plotë, sërish nuk konstatohet një angazhim i plotë, objektiv dhe gjithëpërfshirës për të marrë masat e duhura, legjislative, vendimmarrëse, apo organizative për mënyrën e plotësimit sa më të shpejtë dhe me cilësi të të gjitha vakancave që janë krijuar dhe po krijohen në vijimësi në këto gjykata.