Aktualitet

Hedhin letra higjenike drejt Ministrisë së Arsimit, studentët e Mjekësisë sërish në protestë

Studentët e mjekësisë vazhdojnë sërish protestën e tyre para ministrisë së Arsimit.

Të veshur me uniformat e bardha, me pankarta me thirrjet kundër vendimit që i detyron të punojnë në vend për 5 vite, pas përfundimit të universitetit, studentët e Mjekësisë janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit dhe kanë hedhur drejt saj letra higjienike.

Të grumbulluar para godinës studentët  bëjnë thirrje Ogerta Manastirliut të japë dorëheqjen.

Që prej fillimit të këtij viti akademik, studentët kanë protestuar në forma të ndryshme, për shfuqizimin e ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, si bojkot, marshim apo hedhje vezësh drejt ministrisë së Arsimit.

Zonja ministre nuk ka dhënë dorëheqjen akoma. Turp, turp turp! Ministri e turpit, thonë studentët njëzëri, ndërsa kanë vendosur pankarta si ‘Ne nuk po i marrim leksionet tona, për t’ju mësuar ju një’ apo ‘Në vendin tim në vendin tënd, një ligj i çmendur të gjithë i çmend’.

Gjithashtu ata nuk pranojnë tarifën e studimit 240 mijë lekë, e cila u miratua dy ditë më parë nga bordi i administrimit. Çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3- deri në 5 vite në vendin e tij, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite studentët duhet të paguajnë 1.440.000 lekë.

Protesta e studentëve të mjekësisë është zhvendosur paraditen e sotme përballë ministrisë së Arsimit, ku kanë filluar të gjuajnë drejt saj edhe me vezë. Në këtë protestë janë të pranishme forca të shumta policore dhe qarkullimi i automjeteve në këtë zonë të kryeqytetit është bllokuar.

Prej tre javësh rreth 2 mijë studentë nuk janë ulur në auditorë. Jo të gjithë janë në protestë në kërkim të pezullimit të ligjit, por në mësim nuk është asnjë prej tyre.