Aktualitet

I vodhën para një biznesi në Librazhd, dy në pranga!

Dy persona u arrestuan nga policia, të dyshuar se dje vodhën një shumë parash në një biznes në qytetin e Librazhdit. Ndërkohë është shpallur në kërkim një i tretë, që dyshohet se bashkëpunoi me ta.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Volareka”, për zbardhjen e vjedhjes së një shume parash në një biznes, ditën e djeshme.

Identifikohen, lokalizohen në Belsh dhe vihen në pranga 2 autorë të dyshuar, njërit prej të cilëve, gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e një 26-vjeçari, i dyshuar i përfshirë në këtë vjedhje.

Sekuestrohet dhe automjeti i marrë me qira, që u përdor nga autorët e dyshuar, për këtë vjedhje.

Menjëherë pas kallëzimit të bërë ditën e djeshme, nga një shtetas 58 vjeç, se në biznesin e tij në qytetin e Librazhdit, i kishin vjedhur një shumë parash, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj vjedhjeje.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, si dhe me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, brenda disa orësh, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Volareka”. Gjatë operacionit u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar dhe si rezultat i mirëkoordinimit të punës me shërbimet e Stacionit të Policisë Belsh u bë lokalizimi në Belsh dhe arrestimi i tyre, konkretisht i shtetasve: E. D., 22 vjeç dhe E. P., 40 vjeç, të dy banues në Kamëz.

Gjithashtu, për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi G. Ll., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet i përfshirë në vjedhjen e parave.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dje, rreth orës 10:45, kanë vjedhur 110 000 lekë, në biznesin e shtetasit A. S., 58 vjeç dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Seat” të marrë me qira.

Nga kontrollit fizik, njërit prej të arrestuarve iu gjet dhe sekuestrua një shumë parash e dyshuar e vjedhur në biznesin e kallëzuesit.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. D., më datë 12.04.2024, ka vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit N. G., 59 vjeç, në fshatin Dragostunjë, Librazhd.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që këta shtetas dyshohen të jenë implikuar. Vijon puna edhe për kapjen e shtetasit G. Ll..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, në Durrës u kap personi që dje tentoi grabitjen e një pike këmbimi valutor me pistoletë lodër, por nuk ia arriti qëllimit. Ngjarja ndodhi në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar, rreth mesdite. Pas veprimeve hetimore, uniformat blu identifikuan dhe më tej arrestuan shtetasin Erinidi Lubishta, 30 vjeç.

Në Tiranë, 40 persona u arrestuan në javën që po lëmë pas nga Policia Rrugore. Mes të prangosurve janë edhe dy shtetas të moshave 24 e 33-vjeç që pasi u konstatuan me mosrregullim shpejtësie, tentuan të korruptonin efektivët. Pas verifikimeve, njëri prej tyre rezultoi me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.