Aktualitet

Inceneratori i Tiranës, Engjëll Agaçi ishte në SPAK: Të jemi në dispozicion të drejtësisë!

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, sot u paraqitet në SPAK për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Pas tre orëve në mjediset e Prokurorisë së Posaçme, për gazetarët, Agaçi u shpreh:

Isha si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës.  Të gjithë duhet të jemi në dispozicion të drejtësisë! Falëminderit!

Dy ditë më parë, në SPAK ishte zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila dëshmoi për tre orë në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të hetimeve që po kryhen për inceneratorin e Tiranës. Balluku tha se shpreson që dëshmia e saj të ketë shërbyer për zbardhjen e dosjes, që të vendoset drejtësi. Balluku u pyet si person që ka dijeni e vuri në dukje se “kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha që të zbardhet në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja dhe puna e ndershme nga abuzimi i pafalshëm”.

Ishte një thirrje për Dosjen 225 që është dosja e inceneratorëve. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosjeje. Kam dhënë dëshmi që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e saj. Kjo është ndarja e re e pushteteve. Drejtësia ka punën e saj, qeveria ka punën e saj dhe parlamenti punën e tij.  Ne jemi këtu për ta mbështetur drejtësinë. Kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja e të ndahet puna e ndershme nga abuzimi pafalshëm.

Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, ndërsa për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, janë shpallur fajtorë  dhe u dënuan ish-zyrtarë të lartë, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit ende në kërkim Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. Hetimi për Inceneratorin e Tiranës zgjat prej 4 vitesh. Sot në SPAK u paraqit edhe kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.