Aktualitet

Inflacioni i importuar në rënie, ai i brendshëm në rritje!

Presionet e huaja inflacioniste janë ngadalësuar gjatë tremujorit të parë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) shënoi rritje vjetore me 16.3% në tremujorin e parë, në rënie të ndjeshme nga niveli 27.8% në tremujorin e katërt të 2022-shit. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e Indeksit të çmimeve të huaja dhe Indeksit së Kursit Nominal Efektiv të këmbimit për muajin përkatës.

Kryesisht, ngadalësimi lidhet me ecurinë e çmimeve të huaja, rritja vjetore e të cilave shënoi 25.3% nga 37.4 një tremujor më parë. Kursi Nominal Efektiv i këmbimit ka vazhduar të mbiçmohet, por në një shkallë më të ulët. Mbiçmimi në terma vjetorë arriti në 9% nga niveli 9.7, një tremujor më parë.

Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj.

Zhvillimet janë materializuar në kontributet në rënie të inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, në nivelin 8.7%. Për herë të parë pas një viti, inflacioni i importuar shënoi vlerë njëshifrore, i ndikuar nga tkurrja vjetore e çmimeve të karburanteve dhe nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve të përpunuara.

Vlerësohet që inflacioni i importuar të ketë kontribuuar me rreth 25% apo me afro 1.6 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë, në formimin e inflacionit total. Ky zhvillim ka përcaktuar ngadalësimin e inflacionit në ekonominë shqiptare në muajt e parë të vitit. Në prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në më shumë se një vit.

Ndërkohë, komponenti i brendshëm i inflacionit është zgjeruar në terma mesatarë me rreth 0.2 pikë përqindje. Kjo konfirmon shqetësimet se tashmë rreziqet inflacioniste në të ardhmen e afërt lidhen më shumë me ato që bankat qendrore i quajnë si efekte të raundit të dytë dhe me presionet nga ekonomia e brendshme.

Banka e Shqipërisë konstaton se presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të ushqehen nga një kërkesë e qëndrueshme dhe treg pune i fortë. Rritja ekonomike rezultoi 4.8% për vitin e kaluar, e mbështetur nga rritja e shpenzimeve të familjeve, aktiviteti i ndërtimit dhe dinamizmi i sektorit të turizmit.

Të dhënat indirekte sugjerojnë rritjen e kërkesës e të prodhimit edhe në fillim të vitit 2023. Në tregun e punës, kushtet janë të shtrënguara dhe bizneset vijojnë të hasin vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore.

Vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për punëtorë e presione për rritjen e pagave në vijim. Ky zhvillim u pasqyrua në rënien në nivele minimale historike të normës së papunësisë, 10.8% në fund të vitit 2022, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomike dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës krijojnë premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vijim, por edhe të presioneve të brendshme inflacioniste.

Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë pranë bizneseve dëshmojnë për vështirësi në rritje të tyre për të siguruar forcën e nevojshme të punës. Pamundësia e tregut për t’iu përgjigjur kërkesës së shtuar për punë, si në aspektin sasior e në atë cilësor, po shndërrohet në premisë për rritje të shpejtë të pagave, të kostove të prodhimit dhe të inflacionit./Monitor