Shtetet e Bashkuara kanë futur në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev, duke ia ndaluar hyrjen në vend, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh, njoftoi sot Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).
Në një komunikatë për media, DASH-i tha se për sa kohë ishte zëvendëskryeministër, Angjushevi e shkeli pozitën zyrtare për përfitim të interesave të veta private e biznesore duke e minuar në këtë mënyrë besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike.
Angjushev ishte zëvendëskryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2020, në qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaev.
“Veprimi i sotëm dëshmon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah atyre njerëzve në Maqedoninë e Veriut të cilët kërkojnë llogaridhënie për zyrtarët e korruptuar publikë”, tha DASH-i.
Përveç tij, Departamenti njoftoi se ua ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara edhe bashkëshortes së Angjushevit, Elizabetës, si dhe fëmijëve të tij, Angel dhe Ognen.
Ky vendim, thuhet në njoftim, rithekson përkushtimi e SHBA-së për ta luftuar korrupsionin, i cili e dëmton interesin publik, e pengon prosperitetin ekonomik të vendit, dhe zvogëlon mundësitë e qeverive të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj nevojave të qytetarëve të vet.
Në vitin 2014, revista ekonomike amerikane Forbes e shpalli Angjushev një nga pesë maqedonasit më të pasur.