Aktualitet

Ja me sa u rrit kredia e re në 2 muajt e parë 2024!

Kredia e re për ekonominë u rrit me ritme të larta edhe për muajin shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, muajin e kaluar, sektori bankar disbursoi 29.3 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 52.5% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.

Edhe të dhënat progresive të dymujorit tregojnë rritje të lartë dhe një vlerë të kredisë së re në nivelet më të larta historike për periudhën. Gjatë dy muajve të parë të vitit, vlera e kredisë së re arriti në 52.7 miliardë lekë, në rritje me 47.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.

Rritja e kredisë së re sipas segmenteve është veçanërisht e lartë në të biznesit, ndërsa sipas valutës kjo rritje e shpejtë vazhdon të udhëhiqet nga kreditimi në monedhën vendase. Për dy muajt e parë të vitit, bankat dhanë më shumë se 38 miliardë lekë kredi për bizneset, shifër 70% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja ka ardhur veçanërsisht në segmentin e kredisë afatshkurtër për mjete qarkulluese.

Rritja e kredisë vazhdon edhe në segmentin e individëve, por me ritme disi më të ngadalta. Kredia e re për individët arriti në 14.7 miliardë lekë, rritje kjo me afërsisht 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Normat relativisht të ulëta të interesit po bëjnë që huamarrësit të jenë gjithnjë e më të orientuar drejt monedhës vendase. Kredia e re në monedhën vendase arriti në 33.2 miliardë lekë ose sa 63% e vlerës totale të kredisë së re të dhënë gjatë periudhës.

Në vlerë, kredia e re në lekë është rritur me 124% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re në lekë është rritur me 180% për bizneset dhe me 78% për individët. Banka e Shqipërisë po mban një normë bazë interesi në nivelin 3.25%, një ndër më të ulëtat në Europë. Kjo ka bërë që interesat për kredinë në monedhë vendase të qëndrojnë në një territor tërheqës dhe më të ulëta krahasuar me kredinë në Euro.

Megjithëse më pak e leverdisshme për shkak të rritjes së normave të interesit, sidoqoftë porotofoli i kredisë në Euro është ndikuar negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit. Gjatë muajve të parë të këtij viti, kursi i këmbimit Euro-Lek ka qëndruar në një nivel prej afërsisht 9% më të ulët krahasuar me një vit më parë.

Ecuria pozitive e kreditimit duket qartë edhe në vlerën totale të portofolit, të shprehur si tepricë. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt arriti në 750 miliardë lekë, me një rritje prej 9 miliardë lekësh krahasuar me fundin e janarit.

Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë ishte në rritje me 5.6%, nga 4.1% që kishte qenë rritja për muajin janar. Rritja e portofolit të kredisë po përshpejtohet krahasuar me nivelet e fundit të vitit të kaluar.

Rritja vjetore e portofolit për bizneset arriti në 3.7% (nga 1.8% në fund të janarit), ndërsa për individët në 9.2% (nga 8.4% në fund të janarit). Portofoli i individëve vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes vjetore, për shkak të një strukture më të qëndrueshme, të mbështetur sidomos tek kreditë afatgjata për blerje banesash./Monitor