Aktualitet

Kolegji i Evropës në Tiranë, Mogherini: Aplikuan 241 studentë nga 41 vende!

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se nënshkrimi i marrëveshjes mes Universitetit të Tiranës dhe Kolegjit të Evropës do të garantojë funksionimin e plotë të kolegjit duke nisur nga ky vit akademik deri në përfundim të kampusit të ri.

Në ceremoninë e organizuar për firmosjen e kësaj marrëveshje, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, etj, ministrja Manastirliu deklaroi:

Jemi mbledhur për të shënjuar një moment te jashtëzakonshëm drejt një objektivi që po i afrohemi ditë pas dite, çeljes së një prej institucioneve më të rëndësishme europiane që është kampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë.

Gjatë muajve të fundit kemi ndërmarrë hapa konkretë për të ngritur kampusin e Tiranës për Kolegjin e Europës. Ritmi, bashkëpunimi i shkëlqyer me partnerët tanë për të bërë të mundur këtë gjë ka qenë i jashtëzakonshëm. Jam shumë e kënaqur që streha e parë e Kolegjit të Europës do të jetë në Universitetin e Tiranës. Jam e kënaqur për shkak të domethënies historike ku do të vendoset kolegji dhe peshës historike që mbart.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “streha e parë e Kolegjit të Europës, vendi ku studentët do të studiojnë për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor është vendi ku studentët shqiptarë kanë hedhur hapat e parë historikë dhe ku bënë histori me nisjen e rrugëtimit drejt lirisë dhe demokracisë”.

Ky moment, vijoi Manastirliu, shënon hyrjen në një fazë të re.

Qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar që t’i ofrojë Kolegjit të Europës dhe studentëve të ardhshëm një kampus të ri në vitet që vijnë, për këtë qëllim kemi hartuar projektidenë e parë dhe parashikojmë që ajo të nis zbatimin prej këtij viti.

Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës tha sot nga Tirana se Kolegji i Evropës do të fillojë vitin e parë akademik për ciklin master në muajin shtator. Pjesë e Kolegjit do të jenë 31 studentë, të zgjedhur nga 241 aplikantë nga 41 kombësi të ndryshme. Sipas saj, ky projekt ka ngjallur mjaft interes, ndërsa shtoi se pjesë e punës do të jenë dhe trajnimet për zyrtarët e rajonit dhe jo vetëm. Ajo tha se ka patur aplikime nga Gjermania, Suedia, Franca, etj.

Pesë muaj më parë, në praninë e komisionerit Varhelyi, nënshkruam memorandumin e parë. Kemi nënshkruar shumë prej tyre, sot ishte hera e parë që nënshkruajmë diçka në Tiranë, duke përfaqësuar subjektin juridik të ngritur në Shqipëri, degën shqiptare të kolegjit të Evropës këtu në Tiranë. Dhe ky sot është një hap më tej në kuptimin ligjor.

Në këto 5 muaj kemi bërë shumë. Viti akademik do të nis në shtator me 31 studentë, me program të nivelit master për transformimin dhe integrimin evropian, me fokus të veçantë Ballkanin Perëndimor dhe BE.

Çelëm procesin e pranimit në tetor. Sot mund të them se kemi marrë 241 aplikime për 31 vende nga 41 kombësi të ndryshme. Aplikimet i patëm nga i gjithë rajoni dhe vende të BE. Kemi zgjedhur më të mirët paraprakisht. Kemi kryer mjaft intervista individuale për të zgjedhur studentët. Nga numri përfundimtar kishim 34 kombësi. Nëse do të kishim ndonjë dyshim, unë nuk kisha në fakt, por sot e kemi të qartë që projekti ka kërkesa dhe interes të madh. Ky projekt po haset me entuziazëm.

S’do të përmend emrat e studentëve italianë apo shqiptarë që kanë aplikuar, por do të zgjedh të them se ishin 23 francezë, 12 gjermanë, 6 belgë, 9 suedezë, kjo sa për t’ju dhënë shifrat dhe idenë për interesin që ka patur në rajon dhe jo vetëm, por edhe nga shtete anëtare të BE.

Do të nisim tani brenda pak muajve aktivitete të ndryshme në Kolegjin e Evropës në degën e Tiranës. Do të nisim aktivitetin e parë, që do të zhvillohet në 9 maj për ditën e Evropës. Në dy javët e para të qershorit më pas do të kemi një trajnim. Në këtë kolegj do të ofrohen edhe trajnime për zyrtarët në rajon dhe më gjerë. Brenda 5 muajve do të kemi histori mjaft të konsoliduar suksesi.

Do të jetë mjaft premtuese për të ardhmen, përfshi dhe idenë fillestare, për shtëpinë e kolegjit këtu në Tiranë. Është vetëm fillimi. Po presim të gjithë kaq me padurim që të bashkëpunojmë ngushtë, sidomos bashkë me mjedisin tjetër akademik në Shqipëri e Tiranë, që do të lejojë studentët të trajnuarit tanë që të ndërveprojnë shumë ngushtë me mjedisin pritës.