Aktualitet

Konflikt i çastit, plagosje me armë zjarri në Lezhë!

Një plagosje me armë zjarri u regjistrua mëngjesin e sotëm, në zonën e njohur si Ura e Cenit, në Lezhë. Ende nuk ka shumë detaje, por paraprakisht mësohet se i lënduar mbeti një shtetas nga Laçi, shofer i një furgoni që ishte me pasagjerë kur u qëllua ndaj drejtuesit të mjetit, në afërsi të tregut të qytetit verior.

I plagosuri i identifikuar si shtetasi Tonin Ndreca qëlluar me tre plumba në pjesën e këmbëve, u dërgua në spital ku për fat të mirë ndodhet jashtë rreziku për jetën. Ndërkaq, autori i dyshuar u identifikua nga policia dhe po punohet për kapjen e tij. Po ashtu, mësohet se në vendngjarje u gjet një kaçavidë që Ndreca ka tentuar ta përdorë gjatë sherrit.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 11:00, në qytet Lezhë, në afërsi të shinave të trenit, gjatë një konflikti të çastit që dyshohet për parkimin e automjeteve, shtetasi Marjan Kola, banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Tonin Ndreca 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.