Aktualitet

Kreu i ‘Transportit’ Ndërqytetës tenton të shtypë 3 agjentë të antidrogës, AMP hap kamerat!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme kur Kreu i shoqatës së Transporteve Ndërqytetës, Eneo Sulejmani në tentativë për tu larguar goditi me makinë 3 agjentët e antidrogës. Për tu vetëmbrojtur njrëi prej efektivëve qëlloi.

AMP thotë se po kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

“Nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t’u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizmin e mjetit.

Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kerkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë” thuhet ne njoftimin e AMP-se.

Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.