Aktualitet

Kuvendi seancë në nder të presidentes së Sllovenisë, Musar: Shqipëria i plotëson kushtet për hapjen e negociatave!

Kuvendi ka mbajtur një seancë plenare në nder të presidentes së Republikës së Sllovenisë, Natasa Pirc Musar e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në fjalën e saj ajo theksoi se rruga e vetme për t’i dhënë fund konflikteve globale është diplomacia.

“Kushtet në Ukrainë janë të vështira. Duket se Rusia po shfrytëzon superioritetin e saj ushtarak. Aleatët e Ukrainës po mendojnë se nuk do të jetë e mundur të ndihmojnë Ukrainën pa një angazhim të drejtpërdrejtë me Rusinë. Retorika ushtarake është e lartë në Evropë sot, gjë që shqetëson diplomatët me përvojë. Sa më shumë të rritet numri i nismave të tilla, aq më pak do të flitet për zgjidhje ushtarake në një konflikt. Mendoj se roli i diplomacisë nuk është diskutuar si duhet në këtë konflikt”, tha ajo.

Ndërsa vlerësoi përparimin e Shqipërisë, shprehu mbështetjen për integrimin e vendit tonë në BE.

“Vetëm një moto kemi ‘Të bashkuar qëndrojmë, të ndarë dështojmë’. BE pa Ballkanin Perëndimor nuk është Bashkim Evropian, Shqipëria i plotëson kushtet për hapjen e negociatave”, shtoi Musar.

Presidentja sllovene po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë me ftesën të presidentit Bajram Begaj me të cilin mbajti dhe një konferencë për shtyp. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja e Sllovenisë dhe delegacioni që e shoqëron pritet të vizitojnë disa pika tërheqëse turistike të vendit.