Aktualitet

Kuvendi shqyrton rritjen e pagave në administratën publike dhe pagës minimale!

Kuvendi i Shqipërisë, sot zhvillon seancën plenare të radhës e ku në rend të ditës janë një sërë projektligjesh të rëndësishme, përfshirë rritjen e pagave në administratën publike dhe rritjen e pagës minimale.

Në këtë seancë, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.07.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar”.

Kuvendi gjithashtu pritet të shqyrtojë projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kuvendi do të shqyrtojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi””.

Për shkak të objektit të njëjtë, të tre projektligjet do të diskutohen së bashku.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë sot Aktin Normativ nr. 1, datë 27.4.2023 “”Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë””, të ndryshuar.

Në rend të ditës në seancën e sotme janë edhe 4 projektvendime “Për emërimin në detyrë të një anëtari të Këshillit të Statistikave”.

Sot në Kuvend nuk pritet konsensus për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, përfshirë deputetët e ministrat. Një ditë më parë, Sali Berisha tha se më parë duhet të garantohet minimumi jetik. Para deputetëve demokratë që e mbështesin, Berisha kërkoi dhe hetim parlamentar për zgjedhjet vendore të 14 Majit, për të cilat vazhdon të përsërisë se ishin një farsë elektorale.

Synimi i qeverisë është që pagat të rriten gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, që rroga mesatare të shkojë 900 euro. Reforma ka një kosto totale prej 39 miliard lekësh.