Aktualitet

Lehtësi fiskale për të rinjtë e punësuar!

Të gjithë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç që janë në marrëdhënie pune, duke nisur nga korriku, pritet të përfitojnë lehtësi fiskale. Aktualisht Ministria e Financave është në diskutime që për këtë kategori të njihet një shifër e caktuar si shpenzim i zbritshëm në deklaratën vjetore të të ardhurave personale. (Pra, pasi i riu plotëson deklaratën, një shumë e caktuar nga tatimi i paguar gjatë vitit do ti zbritet dhe do t’i kthehet pas, si një mbështetje dhe lehtësi nga shteti).

Kjo vlerë që ende nuk është saktësuar se sa do të jetë sipas Ministrisë do të ndihmojë të rinjtë, pasi praktikisht ju ul detyrimet tatimore. Aktualisht në vend sipas INSTAT rezultojnë më shumë se 253 mijë persona të punësuar që i përkasin moshës 15-29 vjeç.

Zbritja e shpenzimeve, është praktikë që ndiqet në vend për sektorë e fusha të ndryshme, përshembull edhe profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime profesionale që prej këtij viti ju nënshtruan tatimit me fasha, sipas të ardhurave që gjenerojnë ju njihet edhe një shpenzim i domosdoshëm për aktivitetin e tyre.

Brenda këtyre muajve pritet të saktësohet edhe se si do të funksionojë kjo skemë që po diskuton ministria dhe se si do të bëhet plotësimi i deklaratës vjetore të të ardhurave personale, pasi aktualisht detyrimin për të plotësuar këtë deklaratë e kanë ata persona që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit dhe ata që bëjnë më shumë se një punë.

Sipas të dhënave të Tatimeve deklaratën brenda këtij muaji duhet ta dorëzojnë 106.208 persona, ku pjesa më e madhe kalojnë pragun e të ardhurave 2 milionë lekë në vit ose që kanë rrogë mujore mbi 166 mijë lekë.

Por nga 1 janari i vitit të ardhshëm, deklaratën e të ardhurave do ta dorëzojnë të gjithë ata persona që të ardhurat vjetore gjatë vitit aktual do të jenë mbi 1.2 milionë lekë. Pra nëse një i punësuar këtë vit ka rrogë mujore bruto mbi 100 mijë lekë, vitin që vjen brenda 30 prillit duhet të dorëzojë DIVA-n. Po ashtu do vijojnë ta plotësojnë edhe personat që janë të punësuar në më shumë se një vend.

Po ashtu brenda korrikut do të bëhen publike edhe fashat e reja të tatimit mbi pagat në vend, ku Ministria e Financave po diskuton që nga korriku tatimin 23% të mos e paguajnë ata që kanë pagë mujore mbi 200 mijë lekë, por ata që marrin mbi 250 mijë lekë.

Këto ndërhyrje në sistemin tatimor sipas qeverisë bëhen për të lehtësuar shtresën e mesme si dhe për t’i nxitur të rinjtë të punësohen.