Aktualitet

Lihen në qeli “skifterët” e ikonave, mes tyre dhe ish-punonjësi i parkut arkeologjik!

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të arrestuarit në kuadër të operacionit “IKONAT”, mes tyre dhe ish-punonjësi i parkut arkeologjik.

Gjyqtarja e seancës Entela Shedula pasi ka dëgjuar palët vleftësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Pëllumb Leka dhe Emanuel Çaço dhe pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e kësaj mase sigurie për dy të dyshuarit e veprës penale të trafikimit të veprave të artit dhe kulturës.

Leka 53 vjeç, banues në Fier, dhe Çaço, 56 vjeç, banues në Lushnjë, sipas policisë, u kapën në flagrancë nga policia në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet në të cilin gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe kulturës. Duke përfituar nga fakti se ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, P. Leka, sipas hetimeve të para, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat e Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin tjetër, i trafikonin me qëllim përfitimin.

Sipas hetimeve paraprake, një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro. Sipas të arrestuarve, objektet nuk janë origjinale.

Lidhur me rastin përveç prokurorisë, mësohet se është ngritur dhe një grup pune me ekspertë të trashëgimisë kulturore për të vlerësuar autenticitetin, vjetërsinë e objekteve të sekuestruara dhe përcaktuar dëmin e shkaktuar nga kjo veprimtari e paligjshme në rast se objektet do të jenë origjinale dhe jo kopje, imitime të tyre.