Aktualitet

Lirohet nga burgu Alda Klosi!

Përfundon dënimin dhe lirohet nga burgu ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, Alda Klosi.

Më 19 mars 2024 Gjykata e Tiranës e shpalli fajtore Klosin  për ‘fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë’ duke e dënuar atë me  2 vite e 6 muaj burg por me pranimin e gjykimit të shkurtuar i takonte të vuante 20 muaj burg.  Ajo ka pasur dhe postin e ish-shefes së kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ametaj.

Me Alda Klosin u dënua sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi u shpallën fajtor për ‘vjedhje me pasoja të rënda” në bashkëpunim dhe u dënuan konkretisht me 7 dhe 5 vite burg.

Ndërkohë pas lirimit, Klosi do të qëndroje në arrest shtëpie për akuzen e dytë të pastrimit të parave derisa prokuroria të vendos pas afatit që i la gjykata. Klosi po hetohet dhe për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë.

Ngjarja për të cilën u arrestuan ka zanafillën në dhjetor 2022 kur ish-zyrtarja e lartë, Alda Klosi kallëzoi në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë në rrugën e Kosovarëve në Tiranë. Në janar 2023 policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat i ishin fshehur në tubin e aspirimit të banesës së tyre. Ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina. Vetë Alda Klosi kishte bërë denoncimin për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarë dhe bizhuterive. Pas arrestimit pastruesja ‘e penduar’ e drejtësisë tha se 400 mijë eurot i mori në shtëpinë e Alda Klosit Një muaj më pas, në shkurt 2023 u krye arrestimi i ish zyrtares.