Aktualitet

Lufta kundër shtëpive të barit, kryepolici Rrumbullaku jep porositë!

Ndërsa në 2 muaj janë zbuluar tre shtëpi bari në Durrës, Vlorë e Fier, numri një i Policisë së Shtetit porosi efektivëve për intensifikim të kontrolleve në mjediset e mbyllura, të dyshuara për kultivim të bimëve narkotike. Mësohet se në një mbledhje me drejtues të policisë të qarqeve dhe të kufirit, Muhamet Rrumbullaku porositi edhe për kontrolle të përjavshme të terrenit në pikat e kalimit kufitar. Synohet të mos lejohet dërgimi në Shqipëri i farave të kanabisit, si dhe parandalimi i krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativa për trafikim të lëndëve narkotike.

Porositë e Rrumbullakut:

·         -Intensifikoni kontrollet në terren dhe në ambiente të mbyllura;

·         -Mblidhni informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese, për personat me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike;

·         -Kontroll të përjavshëm të territorit, me grupe kontrolli dhe jo vetëm përgjegjësi e spz-ve, por e tërë strukturës policore në zonë;

·         -Organizoni grupe kontrolli të përbashkëta, me të gjitha institucionet që i ngarkon ligji;

·         -Kontrolle të imtësishme në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe në atë detar, për parandalimin e futjes në Shqipëri, të farave të kanabisit dhe për parandalimin e krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativën për trafikim të lëndëve narkotike.

·         -Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës;

Po ashtu, kryepolici Rrumbullaku i paralajmëroi drejtuesit e uniformave blu se në rast se bimët narkotike të kultivuara në terren do të zbulohen nga të tjera agjenci ligjzbatuese para bluve, atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi zinxhirin drejtues.