Aktualitet

Magnet në krah pas vaksinimit? Mjeku Ilir Alimehmeti jep teorinë e tij…

Kohët e fundit po përhapen disa teori konspirative në rrjetet sociale mbi vaksinën kundër COVID-19. Kudo po përflitet se njerëzit që kanë bërë vaksinën, nëse i afrohet një magnet në krah apo më saktësisht një monedhë metalike, ato ngjiten në mënyrë të çuditshme.

Për të vërtetuar që këto teori nuk janë aspak të vërteta, ishte sot i ftuar në studion e “Wake Up” mjeku i njohur, Ilir Alimehmeti. Ky i fundit u shpreh se kjo është diçka e rreme:

Është diçka e rreme. Ata që e kanë bërë këtë eksperiment dhe u ka ngjitur magneti të shtojnë edhe një fazë tjetër. Aty ku keni bërë provën ta lyeni me pudër fëmijësh. Lyejni zonën, e të gjithë e dinë se pudra shërben për thithjen e lagështirës dhe yndyrës në lëkurën e fëmijëve. Dhe provojeni prap nëse ngjit monedha. Do kuptoni se nëse do kishte qenë magnet, monedha do vijonte të ngjiste. Po të jetë lagështirë, yndyrë apo lëndë tjetër ngjitëse që prodhon lëkura e njeriut, atëherë kjo do zhdukej.

Ai shtoi se kjo është thjesht një dukuri fizike dhe se nuk ka vend për panik.

Është një dukuri fizike, klasike. Një objekt i vogël me peshë relativisht të vogël me një sipërfaqe të rrafshët, me një tjetër sipërfaqe të rrafshët por tashmë elastike si lëkura, që ka edhe lagështirë, yndyrë, lëndë të tjera ngjitëse që prodhon vetë. E që nuk është njësoj gjithë ditën lëkura, ka pjesë ku djersitesh më shumë. Për ta hedhur poshtë këtë e provon, një dukuri e njohur fizike, që nuk ka lidhje me vaksinën. Në mënyrë absolute nuk ka asgjë të tillë, nuk ka një magnet brenda. Për vaksinat ka pasur gjithmonë teori të shumta, jo vetëm nga njerëzit. Janë vaksina me autorizim të emergjencës, nuk kanë aprovim të plotë, por nuk përmbajnë lëndë magnetike.

Me këtë deklaratë të mjekut të njohur, tani mund të qëndrojmë të qetë dhe të mos besojmë çdo thashethem që thuhet në rrjete sociale dhe që janë të pabaza.