Aktualitet

Masat për bosët e krimit, sot GJKKO vendos dhe për Shullazin!

Katër anëtarë të tjerë të bandave të rrezikshme kriminale të godituara nga megaoperacioni më i fundit i SPAK-ut me 50 urdhër-arreste sot dolën para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO që caktoi “Arrest në burg” për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergj Cukalin e Albert Zajën. Ndërkaq, për Emiljano Shullazin, vendimi do të jepet në orën 14:00 pasi nuk iu paraqit avokati.

Një ditë më parë, me masën e sigurisë “Arrest në burg” u lanë 9 anëtarë të tjerë, mes tyre Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i cili u rrëmbye në shkurt të 2015-ës në Fushë-Krujë e që atëherë rezulton i zhdukur. Po ashtu, Viktor Ymeraj i njohur si “Tori i Xhihanes”, i cili si pjesë e grupit të Shullazit rezulton se bashkëpunoi me Ervis Martinajn për vrasjen Durim Bamit. Një ditë më parë u la në burg edhe Mir Brryli, mik e bashkëpunëtor i Pëllumb Gjokës, i arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Nga 50 urdhërarreste në total për shtatë grupe kriminale, 14 prej tyre u ekzekutuan brenda vendit, ndërsa 6 të tjera jashtë. Nga dy në Itali e Belgjikë dhe nga një në Spanjë e Gjermani. Mes 30 vetëve në kërkim është edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka.

Prokuroria e Posaçme, SPAK goditi grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me atë të drejtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe bashkëpunëtor me grupin e Avdylajve në Durrës, rekrutonin vrasës me pagesë e që kryesisht veprojnë në zonat e Fushë-Krujës e të Burrelit.  Gjithashtu, kishin kontaktuar Emiljano Shullazin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.

Nga hetimi u evidentua edhe përfshirja e katër punonjësve të policisë, dy prej tyre në role drejtuese gjatë vitit 2020. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri rezultoi se organizonte lojrat e fatit në këtë qytet dhe me Shefin e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme e Narkotikëve po në këtë drejtori, Klodjan Shahini, drejtonin kultivimin e kanabisit në kohën kur ishin pjesë e uniformave blu. Dy të tjerët kanë qenë efektivë të RENEA-s.

Si karakteristikë e grupeve kriminale veçohej dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga veprimet e tyre. Në raste të ndryshme, pjesëtarë të një grupi kriminal bashkëpunojnë me grupe të njohur si kundërshtarë të njëri-tjetrit. Goditja e tyre nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pasoi zbërthimin e aplikacioneve të koduara që përdornin për komunikim, në kuadër të asaj që njihet si dosja “Metamorfoza”.