Aktualitet

Matura Shtetërore me risi në rregullore, maturantëve u jepet e drejta të kërkojnë rivlerësim testi!

Për këtë vit, data 1 qershor shënon ditën e zhvillimit të provimit të parë të Maturës Shtetërore, ndërsa i fundit do të jetë më 19 qershor 2023. Risi janë ndryshimet në rregullore. Pas kërkesave të vazhdueshme të maturantëve, me theks rivlerësimin e testeve, këtë vit do t’u jepet mundësia që jo vetëm t’i shohin të korrigjuar, por gjithashtu t’u rivlerësohen.

Maturanti do të ketë të drejtën të kërkojë fotokopjen e testit, një ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve. Më pas, në datën 3 korrik duhet të paraqesë kërkesën për rivlerësim, në shkollën ku rezulton i regjistruar. Fotokopjet e testeve të paraqitura do të shqyrtohen nga dy mësues vetëm për pyetjet e ankimuara dhe janë ata që vendosin për t’i kaluar apo jo për rivlerësim në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, QSHA. Ky institucion duhet që të bëjë rivlerësimin e testit dhe rezultatet t’i shpallë jo më vonë se data 7 korrik.

Një tjetër ndryshim është vendimi për t’i zhvilluar provimet  në salla me hapësira të mëdha, të mjaftueshme për të paktën 150 maturantë e për çdo 15 deri në 20 maturantë do të ketë nga një administrator provimi. Në këto mjedise nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.

Nga ana tjetër vijojnë të mbeten në fuqi rregullat për kalueshmërinë. Nëse maturanti merr më pak se 25% të pikëve, ai konsiderohet mbetës. Maturanti do të përjashtohet nga provimi nëse kapet me celular, ndryshon vendin që i është caktuar apo komunikon me maturantët e tjerë.

Po ashtu, nuk do të njihet rezultati nëse testi është dëmtuar apo janë vendosur shenja dalluese, si rdhe nëse vërtetohet kopja e pjesshme ose  e plotë gjatë vlerësimit. Në plotësimin e fletës së provimit, maturanti duhet të përdorë stilolaps me një ngjyrë: të zezë ose blu.

Në qendrën e provimit duhet të paraqitet 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të testit e me vete të ketë dokument identifikimi.