Aktualitet

Megaoperacioni i SPAK/ GJKKO urdhëron ndalimin e publikimit të dosjes deri në përfundim të hetimeve!

GJKKO merr vendim për ndalimin e publikimit të kërkesë së Prokurorisë apo përmbajatjes së saj deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalimin tërësisht të publikimit të këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake. Vendimi është marrë sot.

“Gjykata e Posaҫme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në kuadër të procedimit penal Nr. 59 të vitit 2022, pasi shqyrtoi kërkesës e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin në mungesë të masave të sigurisë, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2023 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi ka disponuar lidhur me masat e sigurimit, ndër të tjera bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ka vendosur: ndalimin e publikimit të kërkesës së prokurorisë apo përmbajtjes së saj deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalimin tërësisht të publikimit të këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.

Duke qenë se mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë gazetarëve që nuk mund të jepet një informacion më i detajuar nga ana e gjykatës lidhur me këtë çështje’ thuhet ne vendim.

Pesë anëtarë të tjerë të bandave të rrezikshme kriminale të godituara nga megaoperacioni i SPAK me 50 urdhër arreste dolën sot për vlerësimin e masës së sigurisë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

GJKKO konfirmoi masën arrest në burg për Emiljano Shullazin, Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergj Cukalin dhe Albert Zajën, të pestë në paraburgim edhe para lëshimit të urdhër-arresteve të reja, pasi janë nën hetim apo gjykim për krime të tjera të mëparshme.

Vendimi për Emiljano Shullazin u shty me disa orë pasi nuk u paraqit avokati. Pavarësisht se gjykata caktoi avokat shteti Artan Simonin, ky i fundit deklaroi se nuk e mbronte dot Shullazin pasi në një tjetër procedim penal ai mbron Luftar Reçin i cili e akuzon Shullazin për vrasje.