Aktualitet

Mundësi investimi, këtë muaj zhvillohet ankandi i ri i obligacioneve 15-vjeçare!

Në muajin shkurt, qeveria shqiptare do të zhvillojë ankandin e parë të obligacioneve me maturim 15 vjeçar për vitin 2024. Sipas Ministrisë së Financave, shuma e planifikuar e obligacioneve për t’u nxjerrë në shitje në ankandin e datës 26 shkurt do të jetë dy miliardë lekë. Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në nëntor 2021.

Ankandi i ri obligacioneve 15-vjeçare mund të jetë një alternativë e mirë për investitorët që synojnë kthime të larta kundrejt investimeve financiare afatgjata, veçanërisht për investitorët institucionalë, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, që synojnë të rrisin kthimet afatgjata të portofoleve të tyre. Por, obligacionet 15-vjeçare mund të jenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël, që sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022 u treguan mjaft aktivë për të përfituar nga rritja e ndjeshme e yield-eve.

Prej tetorit të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendosi të ulë shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë. Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

Për shuma deri në 50 milion lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milion lekë, klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese. Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëherë mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Nëse shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

Vitin e kaluar yield-et pësuan një korrektim të ndjeshëm në rënie sidomos në segmentin e bonove, çka bëri që edhe interesi i individëve për të investuar të ishte më i ulët. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për vitin 2023, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, vlen të thuhet se për titujt e borxhit afatgjatë yield-et kanë filluar të shfaqin një tendencë të lehtë në rritje në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Në ankandin e fundit të organizuar në tregun primar (ankand rihapjeje), në tetor të vitit të kaluar, obligacionet 15-vjeçare u shitën me një yield uniform të pranuar prej 7.98%./Monitor