Aktualitet

Ndërhyrjet në TIMS, Ervin Muça: Jam i pafajshëm!

Drejtori i pezulluar IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça sot u paraqit në gjykatë ndërsa është në masën “Arrest shtëpie”. I akuzuar se kopjoi të dhënat e sistemit TIMS, Muça iu përgjigj interesimit të gazetarëve e shkurtimisht deklaroi:

Kam bërë detyrën, s’kam kryer asnjë shkelje e s’kam kopjuar asnjë të dhënë. Unë deklarohem i pafajshëm. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj. Nuk ka lidhje kodi i punonjësit, unë kam vepruar sipas procedurës, nuk më ka kërkuar askush gjë.

Pas masës “Arrest në shtëpi” me vendim të Gjykatës së Tiranës dhe pezullimit të tij nga detyra, prokuroria e kryeqytetit është duke verifikuar persona të tjerë, të dyshuar se hynë të paautorizuar në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën “Mine Peza” (pranë komisariatit numër 3), ku ndodhet edhe serveri qendror i bazës së të dhënave të sistemit TIMS, i cili regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit.

Këta persona janë civilë, pra jo punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët sipas të njëjtave burime, kanë hyrë në godinë përmes ndihmës së drejtorit të IT-së dhe kanë ndërhyrë në të dhënat e sistemit TIMS, duke i kopjuar.

Zyrtarisht sipas organit të akuzës Tiranë, kjo ndërhyrje në TIMS ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të 2 gushtit 2023.

Personat e paautorizuar – sipas Prokurorisë- për të mos lënë gjurmë, janë futur në godinë me PIN-in (kodin) personal të një punonjëseje tjetër, e cila mësohet se ndodhej me leje të zakonshme, “duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.

Jo zyrtarisht, burimet thonë se të dhënat e kopjuara janë shkarkuar në kompjuterin e Ervin Muçës. Prokuroria e Tiranës mësohet se ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të SPAK-ut për të analizuar kompjuterin e Ervin Muçës e nga disa burime, mësohet se në kompjuterin e drejtorit të IT-së janë shkarkuar të dhënat e TIMS, për një qëllim që edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur.

Më 17 gusht 2023,  i Ngarkuari me Punë i SHBA-ve në Tiranë, H. Martin McDowell pati një takim me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla ku shprehu shqetësimin lidhur me ndërhyrjet e raportuara në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit dhe nxiti një hetim të shpejtë e të gjithanshëm.