Aktualitet

Ndryshe në opozitë, ndryshe në Qeveri! Dy qëndrimet e Ramës për vrasjet nga garda e policia!

Jonada është kryefjalë e më shumë se një jave nga të gjithë. Jo vetëm për humbjen tragjike të saj, teksa ishte kthyer nga Anglia për disa ditë pushime në vendlindjen e prindërve, por edhe për autorin e asaj ngjarjeje që ka prekur çdo shqiptar.

Në fakt, në këtë Shqipërinë me pak më shumë se 28 mijë kilometra katror sipërfaqje, ngjarje të tilla nuk janë edhe aq të rralla. Por, ato bëhen më të rënda, jo vetëm për fundin tragjik, por kur kanë emërues të njëjtë dhe janë punonjësit e Policicë, të cilët në rrethana të ndryshe kthehen në vrasës të qytetarëve. Kështu janë 3 ngjarje, ajo e 21 janarit të vitit 2011, vrasja e Klodian Rashës më 8 dhjetor 2020 dhe së fundmi, goditja për vdekje e 7-vjeçares në Himarë nga një efektiv policie.

Por përkundër asaj që këto 3 ngjarje përfaqësojnë, ajo që bën përshtypje është ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pas 21 janarit me 4 të vrarë nga Garda në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në mes të ditës ka deklaruar:

 “Nëse një polic evropian hap zjarr për të shpëtuar jetën e vet dhe i merr jetën një të riu evropian, dorëhiqet automatikisht ministri i Brendshëm, shkarkohet prefekti, zhvishet komisari dhe polici fatkeq përfundon pas hekurave të burgut. Kryeministri Europpian vërtet dënon moralisht dhunën dhe kërkon publikisht që drejtësia të ndëshkojë shkelësit e ligjit, por edhe i kërkon ndjesë popullit të vet për fatkeqësinë”.

Ndryshe nga ky qëndrim, i mbajtur me zë e figurë kur ishte në krye të opozitës, ndryshimi është si nata me ditën gjatë qeverisjes. Teksa në rastin e Klodian Rashës, presioni publik u shoqërua me dorëheqjen e ministrit të brendshëm të asaj kohe Sandër Lleshi, në rastin e 7-vjeçares, jo vetëm që nuk është i njëjti reagim, por Kryeministri e largon vëmendjen tek sulmi ndaj kundërshtarëve politikë dhe thumbon median.

“Madhësia e tragjedisë në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër,ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!”

Në këtë rast, pyetja që ngrihet nga shumë qytetarë është e thjeshtë, përse Rama kryeopozitar dhe Rama kryeministër në 3 mandate historike ndajnë dy qëndrime të ndryshme?/ Top News