Aktualitet

Ndryshime në Kodin Rrugor, maxhoranca kërkon zgjatjen e vlefshmërisë së patentës!

Maxhoranca kërkon zgjatjen e vlefshmërisë së patentës. Në qytet të ulet shpejtësia në 30 km në orë. Në autostrada të shtohet në 130. Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, kreu i grupit socialist, Taulant Balla deklaroi:

Nëse deri tani vlefshmëria e lejedrejtimit është 10, pritet të bëhet 15. Ne ndihmojmë me këtë qytetarin. Nuk e di pse në krye të 10 viteve duhet rifreskim, kur në Gjermani është 15. Ulim burokracitë, minimizojmë vajtjet në sportele, kursejmë kohë e financa.

Efektet e pritshme: 9.7 milion dollarë kursim për qytetarët në një vit, përfitues 80 mijë shqiptarë në vit. Në këndvështrimin tim, për të patentuarit me moshë të re, i referohen Kodit Rrugor Italian. Ata kanë marrë këtë vendim për tre vitet e para dhe nga kjo lloj mase rezultoi të ishte e duhura. Sot në Evropë, aksidentet rrugore me të rinj nga 15 deri në 30 janë 25% e të gjitha aksidenteve.

Me këto lloj kufizimesh, pretendojmë të ulim aksidentet që vijnë nga të patentuarit për herë të parë. Rritja e moshës për mbajtjen e patentës bëhet edhe për shkak të uljes së numrit të specialistëve për makineri të caktuara. Këta lloj specialistësh mund të vijojnë ta bëjnë deri në moshën 70-vjeç, kjo sërish referuar eksperiencave më të mira evropiane.

Një numër i madh shqiptarësh vijnë në verë për të rinovuar patentën dhe për këtë propozoj që kolegët ta kalojnë para se të mbyllim sesionin parlamentar në fund të korrikut, që t’u shkojmë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë. Kjo nuk është e përfshirë në propozimet e mia, por e hodha si ide që mund të diskutohet dhe pse jo të shtohet, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian.

Balla propozoi gjithashtu që të ulet edhe shpejtësia nga 40km/h në 30 km/h brenda qytetit, pasi sipas tij kjo shpejtësi është shumë e lartë dhe shkaktare për aksidente.