Aktualitet

Në Bashkimin Europian, në vitin 2030? Shqipëria merr letrën e presidencës spanjolle!

Shqipëria ka marrë më së fundi letrën e presidencës spanjolle të Bashkimit Europian, me kërkesën për paraqitjen e urdhërrëfyesve për kapitullin e parë të procesit të bisedimeve për anëtarësim. Letra u miratua nga Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm në Bashkimin Europian. Ajo u aprovua pas një peripecie diplomatike shumë të ethshme të Gjermanisë dhe presidencës spanjolle të BE-së, për të bindur Greqinë që të mos bëhet pengesë, pavarësisht kushteve për çështjen Beleri.

Shqipëria kishte përmbyllur me sukses procesin “screening” pas shumë muajsh bisedimesh mes grupeve të ekspertëve. Ndërsa po përgatitej hapi i dytë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, Greqia lajmëroi se do të bllokonte procesin për shkak të pakënaqësisë, me të cilën po trajtohej çështja e Fredi Belerit.

Fati i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës u vendos si kusht grek për Shqipërinë. Por, pas presionit diplomatik të Gjermanisë, Athina u tërhoq duke e cilësuar dhënien e letrës si procedurë dhe se do ta trajtonte Belerin si një kusht në vazhdim. Ngërçi tani u kalua dhe bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nisin së shpejti, me shqyrtimin e dy temave thelbësore.

E para është çështja e sundimit të ligjit, ku vendit tonë i duhet që të japë llogari për shumë çështje dhe këtu Athina mund të gjejë argumentin për të vendosur kushtet.

Çështja e dytë është reforma në administratë. Procesi i bisedimeve pritet të jetë i gjatë për disa vite, por përfundon me anëtarësimin final. Drejtuesit politikë të Bashkimit Europian vendosin si afat vitin 2030 kur Shqipëria mund të hyjë në Bashkimin Europian./Top Channel