Aktualitet

Nga nesër deri më 4 shkurt “e-Albania” jashtë funksionit!

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka njoftuar se duke nisur nga ora 20:00 e ditës së nesërme (2 shkurt) e deri të dielën në datën 4 shkurt, ora 10:00, portali ‘e-Albania’ do të jetë jashtë funksionit.

Shkak për ndërprerjen e përkohshme të shërbimeve online do të janë ndërhyrjet që po bëhen për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve digjitale për qytetarët dhe bizneset.

“Në kuadër të proceseve tona operacionale, që kanë si qëllim optimizimin e pandërprerë të cilësisë dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturave të tyre mbështetëse, do të ketë një ndërprerje të përkohshme të shërbimeve që konsumohen nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, brenda harkut kohor nga dita e premte, datë 2 shkurt, ora 20:00 deri ditën e diel, datë 4 shkurt, ora 10:00. Nga kjo do të afektohen shërbimet elektronike në portalin e-Albania, funksionaliteti i regjistrimit të një llogarie në portal, shkëmbimi i të dhënave midis sistemeve elektronike nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, si dhe autentifikimi nëpërmjet single-sign-on në sistemet apo platformat elektronike”- thuhet në njoftimin e AKSHI-t.

Pas rikthimit të shërbimeve online, qytetarët do të mund të kryejnë identifikimin ne ‘e-Albania’ duke vendosur numrin e kartës së ID apo NIPT për bizneset dhe për fjalëkalim do të duhet të përdorin një kod 6 shifror njëpërdorimësh.