Aktualitet

Nga Vuçiç te Erdogan, të pranishmit dhe fokusi i diskutimeve në samitin për Ukrainën!

Më 28 shkurt Samit për Ukrainën, më 29 në fokus Ballkani Perëndimor

Më datë 28 shkurt për herë të parë në Shqipëri do të mbërrijë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. Ai do të marrë pjesë në samitin që do të organizohet në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore.

Dita e parë e samitit do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit dhe do t’i dedikohet tërësisht Ukrainës dhe situatës së shkaktuar atje nga agresioni rus i nisur që më 24 shkurt 2022. Kreu i shtetit të Ukrainës pritet që të mbërrijë në vendin tonë mbrëmjen e së martës për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve të europës juglindore.

Gjithçka pritet të zhvillohet në pallatin e kongreseve, vend ku fillimisht do të bëhet pritja e të gjithë liderëve nga kryeministri Rama dhe më pas do të jetë radha e sesioneve që do të zhvillohen të mbyllura, ku në fund të ditës pritet që të ketë një konferencë për mediat.

Përfaqësuese e Kosovës do të jetë presidentja, Vjosa Osmani, e cila konfirmoi për euronews albania praninë e saj në Tiranë në dy ditët e samitit. Ndërkohë nga Serbia i pranishëm do të jetë presidenti Aleksandër Vuçiç. Po ashtu i pranishëm në samitit për Ukrainën do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan përmes një video-mesazhi.

Sakaq, dita e dytë e samitit më 29 do të ketë në fokus rajonin mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës ku prezent do të jenë të 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe zyrtarët nga Brukseli. Në këtë takim do të jetë prezentë presidentja e komisionit europian, Ursula Von Der Leyen.