Rroba kontrabandë nga Turqia dhe me etiketa false të markave të shtrenjta për t’i shitur me çmime shumë të larta, një 51-vjeçar u vu nën hetim dhe djali i tij u shpall në kërkim nga blutë e Tiranës. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Babë e bir i magazinonin këto veshje në banesën e tyre e në dy subjekte në rrugën “5 Maji” dhe pasi i vendosnin logot dhe etiketat e markave të njohura, i shisnin. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Në një tjetër zhvillim, goditet një rast i mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pikën e kalimit kufitar, pranga një 39-vjeçari. U arrestua në Portin e Durrësit pasi tentoi të nxirrte para në mënyrë ilegale nga Shqipëria.
Me të vënë re, Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar Eridan Fejzaj në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm, ndërsa gjatë verifikimeve 39-vjeçarit i janë gjetur 9670 euro dhe 3345 paund, të padeklaruara konform ligjit. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, policia ka proceduar penalisht Fejzajn, banues në Vlorë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.