Aktualitet

Operacion antidrogë me Italinë dhe Gjermaninë, 3 të arrestuar në Vlorë!

Tre persona janë arrestuar në Shqipëri si pjesë e një operacioni ndërkombëtar me Italinë dhe Gjermaninë të koduar “Sammogia” për të goditur trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas policisë, 3 të arrestuarit janë prangosur në Vlorë dhe ata janë L. K. 52 vjeç, F. M. 38 vjeç dhe L. M. 33 vjeç.

Në pamjet e publikuara duken kontrollet me qen në një banesë ku gjenden dhe një tufë me euro të fshehura në çorap, kokainë në mikrovalë, disa telefona dhe doza kokaine gati për t’u shitur.

Ata akuzohen se janë anëtarë të një grupi kriminal që trafikon drogëra të forta, kryesisht në Itali. Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Në total, gjatë operacionit të zhvilluar në Shqipëri, Itali dhe Gjermani u arrestuan 13 persona.

Mediat italiane kanë zbardhur edhe detaje nga operacioni, ku sipas tyre autoritetet kanë monitoruar disa lëvizje korrierësh nga Gjermania në Itali, teksa shpërndanin drogë.

Nga hetimet u konstatua se korrierët shqiptarë, për llogari të organizatës kriminale, shpërndanin çdo javë kokainë dhe kanabis në Itali, duke ua dorëzuar blerësve e bashkatdhetarëve të tyre.

Siç shihet edhe në pamjet e operacionit, është kapur drogë e ndarë në doza, ndërsa një pjatë kokainë ishte futur në mikrovalë.

Në pamje shihet momenti kur policia italiane mësyn në një banesë, ndërsa janë sekuestruar edhe euro cash të fshehura në çorape, si edhe celularë.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Sammogia”.

Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.

Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.

Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.

Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.

Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.

Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.