Tech

Paditen OpenAl dhe Microsoft!

OpenAl dhe Microsoft po përballen me një raund të ri padish nga mediat e ndryshme botërore mbi pretendimet se produktet e tyre gjeneruese me Inteligjencë Artificiale kanë shkelur ligjet e të drejtave të autorit. Tre media progresive amerikane, Intercept, Raw Story, dhe AlterNet, kanë ngritur padi në gjykatën federale të Manhattan, New York duke kërkuar kompensim nga kompanitë teknologjike.

Mediat po pretendojnë se ChatGPT është trajnuar për të mos respektuar të drejtat e autorit, pasi injoron atribuimin dhe nuk njofton përdoruesit kur përgjigjet krijohen duke përdorur edhe punën e gazetarëve. Raw Story ka njoftuar se mediat duhet të përballen me OpenAI, pasi sipas saj kompania po shkel Aktin e të Drejtave të Autorit dhe po përfiton nga puna e palodhur e gazetarëve.

“Shkeljet e OpenAI, nëse nuk kontrollohen, do të shkatërrojnë më tej industrinë e lajmeve dhe bashkë me të edhe gazetarët kritik të lajmeve”,-tha CEO i Raw Story dhe AlterNet, John Byrne. Padia e Intercept rendit si të pandehur OpenAI dhe investitorin e tij më të shquar Microsoft, ndërsa padia e përbashkët e ngritur nga Raw Story dhe AlterNet rendit si të pandehur vetëm OpenAI.

Paditë e ngritura janë në një seri veprimesh ligjore kundër OpenAl mbi shkeljen e pretenduar të të drejtës së autorit, ku përfshihet edhe një padi nga New York Times që i kërkonte kompanisë të shkatërronte çdo chatbot që përdor materiale nga mediat. Ndërsa disa media dhe autorë kanë zgjedhur të ndjekin rrugën ligjore kundër OpenAI, të tjerë si Axel Springer kanë zgjedhur të jenë partnerë me kompaninë. Paditë e ngritura kërkojnë dëmshpërblim dhe përfitime.

Ndërkaq, chatbot i ChatGPT është aftësuar për të mbajtur mend, që do të thotë se do të jetë në gjendje të “kujtojë” bisedat e mëparshme për t’i bërë ato edhe më të dobishme për përdoruesit. Funksioni i ri është aktualisht në fazën e testimit dhe është i disponueshëm për një pjesë të vogël të përdoruesve pa pagesë. Megjithatë, kompania OpenAI thekson se më shumë detaje do të dihen së shpejti.