Aktualitet

Pas pandemisë, vitin e kaluar shtrimet në spitale u shtuan me 8%/Kardiologjia e psikiatria me më shumë fluks!

Më 2022-shin, numri i të shtruarve në spitale u shtua 8%, në raport me 2021-shin. Sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vitin e kaluar, në total numri i të shtruarve në spitale ishte 277 mijë e 881 pacientë. Pas pandemisë COVID-19, ky është numri më i lartë i shtrimeve në spitale. Krahasuar me vitin 2019, shtrimet janë ulur 10.5%.

Më 2020-ën, shtrimet në spitale ranë për shkak të frikës nga infektimet e COVID-it. Mjekët paralajmëruan se pas pandemisë do të ketë rritje, sidomos të ndërhyrjeve kirurgjike në zemër, si bypass-e, e stent-e coronare, për shkak të problemeve post-COVID që duhej të trajtoheshin në kohë.

Për vitin 2022, shtimi më i lartë i të sëmurëve është për pacientët e trajtuar në Kardiologji/Kardiokirurgji e në spitalet psikiatrike. Shtrimet në Kardiologji janë rritur 23% krahasuar me 2021-shin. Ndërsa trajtimi i pacientëve në spitalet psikiatrike u rrit 17.5%. Edhe më herët, trendin rritës të pacientëve në këto spitale, mjekët psikiatër e lidhin me shtimin e përdorimit të lëndëve narkotike nga të sëmurët që lenë spitalin pas rehabilitimit.

Po ashtu, vitin e kaluar pati një rritje të kontrolleve për depistimin e kancerit të gjirit, për identifikimin ose jo të tumorit. Për 2022-shin, numri i kontrolleve u rrit 43% në raport me një vit më parë. Trajtimi me radioterapi për sëmundjet tumorale është shtuar 8.5%, krahasuar me vjet.

Mjekja onkologe, Silvana Çeliku ka pohuar për Monitor se për shkak të frikës nga infektimet me COVID, në vitet 2020-2021 shumë gra hezituan të kryenin depistimet për kancerin e gjirit dhe mitrës. Sipas saj, pasojat do të ndihen në shëndet, pasi koronavirusi pengoi diagnostikimet e hershme dhe rrezikon shtimin e fataliteteve për të prekurit me lloje të ndryshme të tumoreve.

Ndërkaq, rastet e trajtuara nga njësitë e urgjencës mjekësore më 2022-shin ranë 81% krahasuar me periudhën paraardhëse, ndërsa shërbimi i personave që përfitojnë Check Up u shtua 1.7 herë më shumë.

Në 8 vitet e fundit, për periudhën 2014-2022, fluksi më i lartë i shtrimeve në spitale ka qenë në vitin 2019, me 310 mijë e 315 të shtruar, ndërsa numri më i ulët i shtrimeve ishte më 2014-ën./Monitor