Aktualitet

Pas takimit me Berishën, Meta: Përshkallëzojmë aksionin opozitar!

Pas një takimi me Sali Berishën në zyrën e tij, pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore të tre ditëve më parë, Ilir Meta foli për mediat. Kryetari i Partisë së Lirisë paralajmëroi përshkallëzim të veprimit opozitar. Meta u shpreh se nuk ka dorëzim e kapitullim para atyre që i cilësoi “mafie shtetërore” dhe “narkoshtet”.

Çdo minutë fakte të reja tronditëse vijnë dhe dokumentohen për mënyrën si mafia nën komandën e Ramës, shkatërroi procesin zgjedhor. I gjithë ky shkatërrim i procesit zgjedhor, i tjetërsimit të votës së lirë, jo vetëm do të dokumentohet, por do të vijojë dhe procesi i kontestimit ligjor, si edhe i përshkallëzimit të veprimit opozitar, në emër të votës së lirë.

Njëkohësisht, ju e dini shumë mirë se pavarësisht nga ky tjetërsim që realizoi bota e nëndheshme, me porosi të Edi Ramës, nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit, një gjë është e qartë: gomerët e Edi Ramës nuk do të vjedhin më të qetë.

Nuk ekziston asnjë krahasim mes atij që ia fali pushtetin vendor Ramës në tavolinë për 4 vite, me atë luftë dhe përpjekje që u bë për të rikthyer pluralizmin politik, edhe pse i cunguar, pluralizmi është kthyer në të gjithë këshillat bashkiakë.

Nuk ka dorëzim dhe kapitullim përpara mafies shtetërore dhe narkoshtetit. Ne do të luftojmë në emër jo vetëm të mbi 500 mijë shqiptarëve, që në kushte terrori votuan me sakrifica të mëdha, por edhe në emër të qindra-mijërave që u penguan të votojnë. Do t’i shikoni të gjitha faktet, janë denoncuar dhe do të denoncohen!

Në zgjedhjet vendore të 14 Majit, Ilir Meta si kryetar i Partisë së Lirisë kryesoi Koalicionin “Bashkë Fitojmë” që garoi me demokratët e Sali Berishës, PBDNJ-në e Vangjel Dules dhe demokristanët e Nard Ndokës. Në zgjedhjet për kryetarë, ky koalicion fitoi vetëm 7 nga 61 bashki, PS-ja 53 dhe MEGA e minoritetit grek, një, në Finiq.