Aktualitet

Përmet, “Arrest shtëpie” policit të Rrugores që fshehu aksidentin e vajzës së tij!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Gjirokastrës lidhur me vendosjen në masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një punonjës të Policisë Rrugore. Sipas njoftimit zyrtar, ky punonjës dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke larguar mjetin e vajzës së tij nga vendi i ngjarjes, pasi kjo e fundit ishte përfshirë në një aksident automobilistik në rrugën Petran-Përmet, duke prishur kështu provat në vendngjarje.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të  Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë Inspektor Th.M., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme/Trup Shërbimi në Postën e Policisë Këlcyrë, Komisariati i Policisë Përmet”.

Punonjësi i policisë Th.M. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, pasi ka kryer veprime të kundraligishme, duke larguar mjetin e vajzës së tij nga vendi i ngjarjes, e cila ishte përfshirë në një aksident automobilistik në rrugën Petran Përmet, duke prishur kështu provat në vendin e ngjarjes.

Në një tjetër zhvillim, një 29 vjeçar u arrestua në Vlorë pasi vodhi një shumë parash në një dyqan në lagjen “Lef Sallata” të qytetit bregdetar jugor. Blutë e Vlorës njoftojnë se është fjala për një shtetas i skeduar më parë për të njëjtën vepër penale.

Vlorë/Vodhi një shumë parash në një dyqan, identifikohet dhe arrestohet 29-vjeçari, me precedent të mëparshëm për vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit se ishte vjedhur një shumë parash në një dyqan, në lagjen “Lef Sallata”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Storm 17“ u arrestua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi Erjon Baraj., 29 vjeç, banues në Vlorë, me precedent të mëparshëm penal për vjedhje.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.