Aktualitet

Plani i rritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Mos humbim mundësitë/Varhelyi: Zbatoni rregullat e BE-së!

Liderë të rajonit janë bashkuar në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku po diskutohet mbi planin e rritjes ekonomike. Pas pritjes së tyre, në Pallatin e Kongreseve, kryeministri Edi Rama hapi punimet e samitit duke iu bërë thirrje të bashkëpunojnë më shumë për zbatimin e këtij plani ose do të dështojnë për t’u bërë pjesë e Unionit.

Me planin e rritjes do të marrim hapat e nevojshëm për të ecur më pranë njëri-tjetrit dhe BE-së ose do të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend më pranë BE-së. Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra- tjetrës.

Më tej vuri në dukje se Shqipëria është e gatshme dhe do të punojë pa u ndalur me të gjithë të tjerët, për të ecur shpejt përpara drejt zonës së përbashkët të pagesave euro, lehtësimit të tregtisë së transportit dhe tregut digjital.

Nga Tirana, eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se përveç 30 miliardë eurove do të jepen edhe 6 miliardë të tjera për rajonin.

Varhelyi theksoi:

Zbatimi i Planit të Rritjes ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme.

Nga ana e tij, Rama solli një shembull konkret të përfitimeve të rajonit:

Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës europiane të përbashkët të pagesave, ne do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulet 6 herë kostoja e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë miliard euro në xhepat e njerëzve.

Varhelyi theksoi:

Për të ecur përpara, vetë rajoni duhet të ecë me shpejtësi, të ketë rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Dhe ky plan bëhet funksional nëse zbatoni rregullat e BE-së, në rast se i pranoni të gjitha këto rregulla dhe të mund të bëheni pjesë e tregut përpara se të bëheni anëtarë.

Kryeministri Rama kërkoi angazhimin e të gjitha vendeve të rajonit, që siç u shpreh, “të mos humbet kjo mundësi”.

Me planin e ri të rritjes, tashmë në fuqi, domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku.

BE-ja, tanimë është me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie.

Në një rajon ku konfliktet dypalëshe kanë qenë ato që kanë diktuar më së shumti të ardhmen, kryeministri apeloi:

T’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara, me synimin për të transformuar rajonin e vendet tona. Sigurisht, çështjet dypalëshe mbeten, por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh.