Aktualitet

Profesionistët, padi në grup. Kundërshtojnë llogaritjen e tatim-fitimit!

Katër padi janë depozituar në Gjykatë Kushtetuese për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale që bën pjesë të regjimit tatimor edhe 30 mijë profesionistë të lirë.

Së fundmi, një “padi në grup”, e firmosur nga mbi 400 profesionistë të lirë ka përfunduar në dyert e Gjykatës.

Avokatët e përcaktojnë ligjin anti-kushtetues për një sërë faktorësh, por kryesorja se merr përsipër tatimin e profesionistëve bazuar mbi deklaratat e vitit të mëparshëm.

“Gjë kjo, e cila bie ndesh me nenin 58 të kushtetutës pasi ligjit tatimor nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese dhe këtu është faktike. Ligi prek konkurrencën e lirë dhe xhepat e profesionistëve pasi këta japin shërbime në një treg të ngushtë dhe më pas gjenerojnë rritje çmimesh dhe shërbime më pak cilësore dhe më të shtrenjta”, shprehet avokati Lulzim Alushaj.

Ndryshimi i shpeshtë i sistemit fiskal ka qenë një problematikë e theksuar në raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, ndërsa profesionistët e lirë e shohin atë si një thyerje në mes të premtimit që deri në 2029-ën taksa e tyre do të ishte falas.

“Nuk është normale dhe as e ligjshme që të ndërhyhet në një moment të caktuar dhe profesionistët e lirë kanë marrë kredi kanë zhvilluar biznese, kanë bërë plane të tjera, kanë punësuar dhe njerëz dhe përballen papritur me një normë tatimore nga 15-23% të xhiros së tyre që merret nga buxheti i shtetit”, thotë Alushaj.

Ligji më së shumti sipas avokatëve prek profesionistët e rinj, që kishin vendosur të merrnin përsipër risqet e biznesit në karrierën e tyre.

“Sa futesh në profesion ke 20% TVSH, 15% tatim fitim, kontribute për të paguar, qira dhe taksa bashkiake, pra po të bëjmë një përllogaritje nuk del ajo llogaritje e financave por shkon deri në 40-50%. Është një çmenduri të barazosh vitet e para të punës me 20 vite eksperiencë”, shprehet avokati.

Në një sqarim publik, Tatimet shkruajnë se profesionistët e lirë duhet të fillojnë pagesat e kësteve deri më 31 mars në mënyrë që të mos përballen me kamatvonesa. Për rastet ku profesionistëve u vjen një detyrim tatimor më i lartë seç kishin parashikuar, administrata i sugjeron që të bëjnë kërkesë për rishikim këstesh pranë Drejtorive Rajonale.