Aktualitet

Prokurimet Publike përmes AI, Rama: Neutralizojmë një burim korrupsioni!

Inovacioni, teknologjia dixhitale dhe Inteligjenca Artificiale ishin në fokus të Episodit të 12-të të sezonit të tretë të Podcast-it “Flasim” të kryeministrit Edi Rama. Të ftuar, Denisa Kele, pedagoge dhe Kushtrim Shala, konsulent inovacioni, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Teknologjisë.

“Bota tjetër” ishte tema që zgjodhi kryeministri për të trajtuar në këtë episod, ku nënvizoi disa nga përfitimet e Shqipërisë nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale. Në këtë drejtim, Rama nënvizoi se procesi i prokurimeve publike do të jetë tërësisht dixhital ku do të bëhet kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit.

Rama tha se te prokurimet e fondeve publike burojnë plot pasoja e aty buron edhe pjesa më e neveritshme e korrupsionit.

Me modelin e Inteligjencës Artificiale, neutralizojmë këtë burim të madh qelbi dhe i kthejmë prokurimet publike në një proces transparent dhe të lexueshëm. Prokurimet janë një problem që burojnë plot pasoja e nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Bëjmë mijëra prokurime në vit dhe janë dhjetëra mijëra anëtarë komisionesh, persona që duhet të marrin pjesë. Të gjithë këta njerëz duhet të disponojnë dijen e nevojshme ligjore për atë gjë që po bëjnë. Nuk mundet dot ata njerëz që futen në ato procedura. Janë njerëz që bëjnë punë tjetër, por futen në atë procedurë.

Rama theksoi se me modelin e Inteligjencës Artificiale mund ta kapërcejnë këtë gjë.

Duke e kapërcyer komplet, s’kemi më nevojë për këtë konsum të madh energjish që të bëjmë këto procese dhe nga ana tjetër neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi. E kthejmë prokurimin e fondeve publike në një proces transparent, të thjeshtë e të lexueshëm. Tashmë ato qindra mijëra veprime që duhet të bëjnë në këtë proces i bën algoritmi. Nuk është vetëm kjo, plot gjëra të tjera janë të mundura dhe po punojmë në disa drejtime që të përdorim Inteligjencën Artificiale e për t’i dhënë vetes mundësi që nuk do të mund t’i imagjinonim.

Për pedagogen Denisa Kele, Shqipëria ka të gjitha kapacitetet që të kthehet në shtet teknologjik.

Kemi mundësinë të jemi një vend më “tecno friendly”, e kemi mundësinë për të pasur burimet njerëzore, për të qenë një shtet dixhital. Shqipëria mund të jetë një shtet teknologjik, i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të qenë.

Ndërsa për drejtuesin e Shoqatës Kombëtare të Teknologjisë, Kushtrim Shala është i rëndësishëm promovimi i talenteve të reja.

Ne kemi ndërtuar edhe një qendër laboratorike të inovacionit që targeton fëmijët e grupmoshës 9-15 vjeç, që të rrisim sadopak konkurrencën rajonale për këtë garë inovacioni. Sot jemi në një mozaik aktivitetesh që mbështesin start up-et dhe të rinjtë.