Aktualitet

Qeveria publikon draftin: Shqipëria do të prodhojë armë dhe municione!

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një draftligj që i hap rrugë prodhimit të armëve në Shqipëri.

Sipas dokumentit që ka dalë për konsultim, qeveria synon të krijoj një shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve etj, me emrin “Kayo”.

Në realicionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s.

Shoqëria thotë drafti, ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me këtë ligj.

Shoqëria do të jetë nën juridiksionin e ministrisë së Mbrojtjes dhe siç thotë ligji ka dhe interesa tregtarë dhe ekonomikë. Kayo do të mbështetet nga buxheti i shtetit dhe do të ketë lehtësira fiskale.

Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.

Drafti vjen 3 muaj pas vizitës së presidentit ukrainas në Tiranë, Volodymyr Zelensky, ku i kërkoi Shqipërisë dhe Ballkanit të përfshihen në industrinë e prodhimit të armëve, për të përballuar agresionin rus.

 

PROJEKTILIGJI:

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin e Shoqërisë “Kayo” sh.a., shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake (e quajtur në vijim “Shoqëria”), si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.

Neni 2

Objekti i veprimtarisë

1.      Shoqëria ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, municioneve, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake.

2.      Përgjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj, Shoqëria ndjek gjithashtu interesa ekonomikë dhe tregtarë.

Neni 3

Statusi juridik

1.      Shoqëria krijohet si person juridik, e organizuar në formën e një shoqërie aksionare.

2.      Autoriteti publik që përfaqëson shtetin si aksionar të Shoqërisë është ministria përgjegjëse për mbrojtjen.

3.      Themelimi, organizimi dhe funksionimi i Shoqërisë i nënshtrohen dispozitave të legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare dhe dispozitave të këtij ligji.

4.      Kapitali themeltar i shoqërisë përcaktohet në Statutin e Shoqërisë.

5.      Financimi i mëtejshëm i Shoqërisë në para ose natyrë nëpërmjet pasurisë shtetërore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat ose ministrit përgjegjës për ekonominë, si dhe ministrit përgjegjës për  mbrojtjen.

6.      Statuti i Shoqërisë miratohet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

7.      Shoqëria ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare, të cilat miratohen nga Asambleja e Përgjithshme, me propozim të Këshillit Mbikëqyrës.

8.      Shoqëria ka selinë në Tiranë dhe ka të drejtën të krijojë struktura të tjera, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Neni 4

Objektivat e Shoqërisë

Shoqëria ka këto objektiva kryesore:

1.      Zhvillon me eficiencë aktivitetin e saj, duke kontribuar në ngritjen, zhvillimin dhe forcimin e industrisë së prodhimit dhe tregtimit të armëve, me qëllim sigurimin e nevojave të Forcave të Armatosura dhe ato të sigurisë në Republikën e Shqipërisë, si dhe të realizimit të fitimit ekonomik.

2.      Prodhon dhe furnizon me pajisje të nevojshme Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e interesave kombëtare.

3.      Ndërton, zhvillon dhe përmirëson kapacitetet vendase për të prodhuar dhe furnizuar Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë me pajisje të nevojshme për operacionet e tyre.

4.      Mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat në funksion të zhvillimit të aktivitetit të saj

5.      nxitjen e investimeve në teknologji dhe inovacion në prodhimin, përdorimin, tregtimin e armëve brenda dhe jashtë vendit.

6.      Bashkëpunon me subjekte të ndryshme shtetërore dhe private, kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimin e objektit të veprimtarisë së saj.

7.      Financon ose bashkëfinancon projekte në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare ose subjekte për qëllime të veçanta (SPV) të ngritura për realizimin e tyre.

Neni 5

Funksionet e Shoqërisë

Funksionet kryesore të Shoqërisë janë:

1.      Prodhimi, riparimi, demilitarizimi dhe tregtimi i armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes, të politikave shtetërore të rritjes së kapaciteteve ushtarake, si dhe zhvillimit të industrisë ushtarake.

2.      Bashkëpunimi me Forcat e Armatosura, me qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre ushtarake, nëpërmjet sigurimit të armëve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake për Forcat e Armatosura, nga ana e Shoqërisë në cilësinë e furnizuesit, të agjentit ose të autoritetit kontraktor, në përputhje me  legjislacionin në fuqi.

3.      Tregtimi, nga vetë Shoqëria apo nga subjekte të tjera të themeluara prej saj ose në bashkëpunim me subjekte private, i armëve ushtarake ose pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, të prodhuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.

4.      Financon ose bashkëfinancon projekte ose subjekte për qëllime të veçanta (SPV) të ngritura për realizimin e objektit të veprimtarisë së saj.

5.      Këshilli i Ministrave mund të autorizojë Shoqërinë të kryejë funksione të tjera sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 6

Burimet financiare

1.      Shoqëria mund të financohet nga:

a)      buxheti i shtetit, me qëllim kapitalizimin, si dhe mbështetjen operacionale, derisa Shoqëria të shpërndajë divident;

b)      të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e saj dhe shërbimet e ofruara;

c)      donacionet në përputhje me legjislacionin në fuqi;

ç)   financime nga institucione financiare, pas miratimit të Këshillit të Ministrave;

d)   burime të tjera, të lejuara nga legjislacioni në fuqi dhe aktet e saj të brendshme.

2.  Me miratim të Këshillit të Ministrave, Ministria përgjegjëse për financat dhe ministria përgjegjëse për mbrojtjen financojnë krijimin e një fondi ad hoc, me qëllim mbështetjen e operacioneve të veçanta të Shoqërisë. Operacionet dhe kohëzgjatja e tyre miratohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave, sipas vendimit të Komitetit Ndërministror të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

3.  Detyrimet financiare të Shoqërisë nuk i transferohen buxhetit të shtetit. Përgjegjësia për shlyerjen e detyrimeve financiare është detyrim i Shoqërisë.

Neni 7

Zhvillimi i aktivitetit të Shoqërisë

1.      Shoqëria, me qëllim ndjekjen e objektivave të saj, kryen studime dhe analiza të objektit dhe të përmasave të investimeve që ka për qëllim të realizojë, si dhe të mundësive objektive për realizimin e tyre.

2.      Shoqëria mund të marrë ndihmë, si dhe të kontraktojë ose nënkontraktojë konsulentë, nëpërmjet bashkëpunimit, me subjekte shtetërore dhe private, vendase dhe të huaja, në lidhje me:

a)      konceptimin, hartimin ose realizimin e një projekti zhvillimi të objektit të aktivitetit të Shoqërisë;

b)      përgatitjen e një plani të detajuar biznesi, në raport me politikat shtetërore të sigurisë dhe mbrojtjes, me politikat ndërkombëtare të zbatueshme për prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe me politikat tregtare të Shoqërisë;

c)      marrjen e teknologjive, ekspertizës, infrastrukturës kibernetike dhe digjitale, makinerive/pajisjeve të nevojshme për zbatimin e planit të biznesit;

ç)   trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve të stafit të saj;

d)  furnizimin me pjesë, materiale dhe teknologji të nevojshme për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake;

dh) zhvillimin e teknologjive të avancuara për prodhimin e armatimeve të reja, ndërtimin e sistemeve të mbrojtjes dhe pajisjeve të sigurisë;

e)   sigurimin e shërbimeve mbështetëse, të tilla si: mirëmbajtja, riparimi dhe përmirësimi i pajisjeve ushtarake dhe aseteve të Shoqërisë;

ë)   financimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe të zhvillimit midis institucioneve kërkimore publike dhe kompanive private në sektorin e mbrojtjes, për të promovuar inovacionin dhe zhvillimin e teknologjive të reja;

f)   bashkëpunimi me shoqëri të specializuara për të ofruar programe edukimi dhe trajnimi për personelin ushtarak, duke përdorur aftësitë dhe përvojën e shoqërive në fushën e formimit profesional;

g)   bashkëpunimi me shoqëri të specializuara për të promovuar dhe shitur armë dhe pajisje ushtarake në tregjet ndërkombëtare, duke përdorur rrjetet tregtare dhe ekspertizën e marketingut të këtyre shoqërive;

gj) nevoja të tjera që lidhen drejtpërdrejt me realizimin dhe zhvillimin e objektit të veprimtarisë së Shoqërisë.

Neni 8

Lehtësirat

1.      Me qëllim përmbushjen e objektivave të saj, garantimin e operacionalitetit të Shoqërisë si dhe nxitjen e investimeve në industrinë e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave parashikon lehtësirat dhe procedurat zbatuese të lehtësirave për Shoqërinë. Këto lehtësira mund të përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a)      procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin, sipas legjislacionit në fuqi;

b)      ulje ose përjashtime tatimore;

c)      ulje ose përjashtime doganore;

ç)   sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve prodhuese;

d)      mbështetje me infrastrukturë ndihmëse;

dh) qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e
teknologjive të mbrojtjes;

e)      mbështetje dhe bashkëpunim në projekte kërkimore, zhvillimin e teknologjive të reja dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës nga Qendra e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes;

f)       mbulimin e shpenzimeve të shërbimeve utilitare, plotësisht ose pjesërisht, të rimbursueshme ose me tarifa preferenciale.

Neni 9

Transferimi i pronave të paluajtshme shtetërore

1.      Në rastet kur një pronë e paluajtshme shtetërore është më interes për realizimin e projekteve të investimit, Shoqëria i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ministrit përgjegjës për mbrojtjen, transferimin e së drejtës së pronësisë, të përdorimit apo çdo të drejtë tjetër, sipas parashikimeve të Kodit Civil.

2.      Këshilli i Ministrave parashikon mënyrat, kriteret dhe procedurat sipas së cilave Shoqëria do të ushtrojë të drejtat e saj mbi pronat e paluajtshme në funksion të zhvillimit të aktivitetit të saj, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në dhënien e saj në sipërmarrje, dhënien me qira, ose përdorim sipas formave të tjera të parashikuara në Kodin Civil.

3.      Shoqëria, në funksion të zhvillimit të veprimtarisë së saj, me miratim të Këshillit të Ministrave, me qëllim ngritjen e kapitalit, aseteve ose likuiditetit të nevojshëm për realizimin e aktivitetit të saj, mund ta përdorë pronën e paluajtshme shtetërore si garanci, kolateral, peng apo hipotekë, në rast marrje financimi.

Neni 10

Marrëdhëniet me palët e treta

1.      Shoqëria ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me këtë ligj.

2.      Shoqëria, vetë ose me kërkesë të palëve të treta bashkëpunon me subjekte private nëpërmjet pjesëmarrjes në bashkim operatorësh ekonomikë ose në partneritet publik privat, si dhe nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme kontraktore të lejuara nga legjislacioni civil dhe tregtar.

3.      Kushtet e bashkëpunimit të Shoqërisë me subjekte private, miratohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të Shoqërisë, nëpërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen. Pas këtij miratimi, Shoqëria vijon procedurat sipas pikave 4, 5 dhe 6 të këtij neni.

4.      Në rastet kur Shoqëria kërkon partneritet, procedurat e përzgjedhjes së bashkëpunëtorit privat janë procedura konkurruese, të zhvilluara nga Shoqëria, në përputhje me parimet e transparencës, proporcionalitetit, efikasitetit, ruajtjes së informacionit të klasifikuar, përfitueshmërisë, fizibilitetit ekonomik dhe tregtar të projekteve, trajtimit të barabartë, reciprocitetit dhe të sigurisë ligjore, sipas përcaktimeve në këtë ligj dhe akteve të brendshme rregullatore të Shoqërisë.

5.      Në rastet kur Shoqërisë i paraqiten kërkesa për bashkëpunim nga palë të tjera shtetërore ose private, Këshilli Mbikëqyrës autorizon drejtorin ekzekutiv të ngrejë grupin e negocimit të ofertës, i cili ngarkohet për vlerësimin dhe negocimin e kërkesës së paraqitur,  në përputhje me strategjinë e zhvillimit të Shoqërisë. Raporti i grupit të negocimit i paraqitet Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë, i cili miraton ose jo bashkëpunimin në rastin konkret.

6.      Në rastet kur bashkëpunimi lidhet me interesat e shtetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të evidentuara në dokumentet strategjike, si dhe në rastet kur ky bashkëpunim konsiderohet interes thelbësor i shtetit nga Komiteti Ndërministror i Sigurisë dhe Mbrojtjes, Shoqëria mund të përzgjedhë drejtpërdrejt një subjekt publik apo privat me të cilin do të krijojë partneritet. Në këto raste, Këshilli Mbikëqyrës autorizon drejtorin ekzekutiv të urdhërojë

ngritjen e grupit të negocimit, i cili, në përputhje me vendimin e Komitetit Ndërministror të Sigurisë dhe Mbrojtjes, vlerëson subjektin me të cilin negocion në mënyrë  të drejtpërdrejtë. Raporti i grupit të negocimit miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

7.      Në çdo rast, Shoqëria siguron ruajtjen, në përputhje me ligjin dhe kërkesat e palëve konkurruese, të konfidencialitetit të informacionit të administruar prej saj dhe të  klasifikuar gjatë procedurave si sekret shtetëror, tregtar apo industrial. Aktet e administruara nga Shoqëria gjatë procedurave të tilla nuk bëhen publike, nëse kjo bie ndesh me interesat e shtetit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

8.      Në përzgjedhjen e subjektit privat me të cilin krijon partneritet në prodhim dhe tregtim të armëve dhe teknologjive ushtarake, Shoqëria sigurohet, sipas rastit, që:

a)      subjekti përmbush kriteret e nevojshme për pajisjen me leje dhe licenca për prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe teknologjive ushtarake, duke përfshirë sigurinë e objekteve, kapacitetin teknik, operacional dhe financiar;

b)      subjekti garanton zbatimin e standardeve të sigurisë dhe kontrollit të armëve dhe teknologjive ushtarake, në të gjitha fazat e prodhimit dhe tregtimit, duke përfshirë ruajtjen, transportin dhe transferimin e tyre;

c)      subjekti garanton raportim të veprimtarisë së tij, në përputhje me standardet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe kontrollit të armëve dhe teknologjive ushtarake;

ç) subjekti garanton respektimin e konfidencialitetit të të dhënave në veprimtaritë e     Shoqërisë;

d)      subjekti plotëson kriteret e besueshmërisë, pastërtisë së figurës dhe reputacionit në sektorin e prodhimit dhe tregtimit të armëve dhe teknologjive ushtarake.

9.      Në rastet e partneritetit, në funksion të garantimit të interesave të saj, Shoqëria, pavarësisht pjesëmarrjes në këto subjekte, ushtron të drejtën e vetos për çështjet, si më poshtë vijon:

a)      ndryshim statuti;

b)     zmadhim apo zvogëlim kapitali;

c)      shpërndarje fitimi;

ç)   riorganizim dhe prishje të shoqërisë;

d)     përfshirjen  e aksionarëve të tjerë.

Në partneritet e krijuara, Shoqëria ka detyrimin të garantojë  sigurimin e përmbushjes së kërkesave ligjore, parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe ndalimin e konkurrencës së paligjshme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke ushtruar të drejtën e vetos në vendimmarrje.

10.  Në rastet kur Shoqëria hyn në partneritet me subjekte të tjera, me qëllim garantimin e sigurisë juridike të pronës së paluajtshme shtetërore të kaluar te Shoqëria, përveç se me miratim të Këshillit të Ministrave, ndalohet transferimi nëpërmjet shitjes, si dhe lënia e saj si garanci, kolateral, peng apo hipotekë.

Neni 11

Licencimi

1.      Shoqëria e zhvillon veprimtarinë e saj në bazë të licencave dhe lejeve të lëshuara nga autoriteti shtetëror përgjegjës për lëshimin e licencave, mbikëqyrjen dhe kontrollin e aktiviteteve të lidhura me armët, municionet, pajisjet dhe teknologjitë ushtarake, dhe çdo licencë tjetër të nevojshme sipas legjislacionit përkatës.

Neni 12

Kontrolli financiar

1.      Shoqëria mban kontabilitetin e veprimtarisë së saj ekonomike, në përputhje me ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.

2.      Drejtori ekzekutiv dhe Këshilli Mbikëqyrës përgatisin raportin e veprimtarisë, inventarët dhe llogaritë vjetore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.

3.      Pasqyrat financiare të Shoqërisë auditohen sipas legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar.

Neni 13

Garantimi i normave të sigurisë

1.      Shoqëria ka detyrimin të sigurojë përmes policave të sigurimit operacionet e saj që lidhen me prodhimin, riparimin dhe demilitarizimin e armëve. Procedurat për zbatimin e kësaj dispozite rregullohen me akte të brendshme rregullatore të Shoqërisë.

2.      Shoqëria siguron një strukturë operative për zbatimin dhe mbikëqyrjen e rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë të aplikueshme për prodhimin, riparimin dhe demilitarizimin e armëve. Përbërja, funksionimi dhe përgjegjësitë e kësaj strukture rregullohen nga statuti dhe aktet e tjera rregullatore të Shoqërisë.

3.      Shoqëria ngre dhe operon infrastrukturë digjitale dhe kibernetike e cila ndërvepron me infrastrukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Personeli operativ i këtyre infrastrukturave pajiset me certifikatën e sigurisë përkatëse dhe informacioni i përpunuar në këto infrastruktura është i mbrojtur nga sekreti shtetëror, tregtar dhe industrial ushtarak. Rregullat për ngritjen, funksionimin dhe sigurimin e infrastrukturës përcaktohen me akte të brendshme të Shoqërisë.

Neni 14

Regjimi i prokurimit

1.     Për kontratat në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në kuadër të bashkëpunimit më strukturat përgjegjëse në këto fusha, zbatohen dispozitat e legjislacionit në fuqi për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

2.      Në rastet e tjera, për kontratat të cilat nuk zbatohet legjislacioni për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, zbatohen rregullat e legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare.

Neni 15

Detyrimi për shërbim

1.      Në rastin e gjendjes së luftës ose në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë ose aleatëve të saj strategjikë, sipas propozimit të Komitetit Ndërministror të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, Shoqëria ka detyrimin që të sigurojë një rezervë të caktuar armatimesh dhe pajisjesh tekonologjike për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

2.      Shoqëria është e detyruar të plotësojë kërkesën sipas pikës 1, më sipër, në mënyrë të menjëhershme dhe të plotë, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e autoriteteve përgjegjëse për rregullimin e industrisë së mbrojtjes.

Neni 16

Organet drejtuese

1.      Organet e Shoqërisë janë:

a)      Asambleja e Përgjithshme;

b)      Këshilli Mbikëqyrës;

c)      Drejtori ekzekutiv.

2.      Struktura dhe organika e Shoqërisë miratohen me vendim të Këshillit Mbikëqyrës.

Neni 17

Asambleja e Përgjithshme

1)      Asambleja e Përgjithshme merr vendime për çështjet e mëposhtme:

a)      miratimin e statutit të Shoqërisë dhe ndryshimeve të tij, me propozim të Këshillit Mbikëqyrës;

b)      miratimin e strategjisë së zhvillimit të Shoqërisë, me propozim të Këshillit Mbikëqyrës, në përputhje me politikat dhe dokumentet stategjike të mbrojtjes dhe sigurisë.

c)  miratimin e pasqyrave financiare vjetore dhe raporteve të ecurisë së veprimtarisë së Shoqërisë.

ç)   çështje të tjera të parashikuara nga ky ligj, ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe statuti i Shoqërisë, përveç atyre që i janë dhënë me këtë ligj Këshillit Mbikëqyrës.

Neni 18

Këshilli Mbikëqyrës

1.      Këshilli Mbikëqyrës ka 6 (gjashtë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a)      1 (një) anëtar përfaqësues i Kryeministrisë;

b)      2 (dy) anëtarë përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen;

c)   1 (një) anëtar përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për financat;

ç)   1 (një) anëtar përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;

c)      1 (një) anëtar përfaqësues i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

2.      Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës emërohen dhe lirohen nga Asambleja e Përgjithshme, pas propozimit të institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni.

3.      Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës udhëhiqen nga parimi i mirëbesimit, duke përfshirë detyrimin për kujdesin, besnikërinë, konfidencialitetin, integritetin dhe pavarësinë në raport me Shoqërinë.

4.      Kriteret e emërimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, periudha e emërimit apo riemërimit të tyre, pagat dhe modalitet për shpërblimet suplementare caktohen në statutin e Shoqërisë.

Neni 19

Kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës

1.      Këshilli Mbikëqyrës siguron që Shoqëria gëzon autonomi operacionale në veprimtarinë e saj dhe ka këto kompetenca:

a)      propozon për miratim në Asamblenë e Përgjithshme statutin e Shoqërisë dhe ndryshimet në të;

b)      propozon për miratim në Asamblenë e Përgjithshme strategjinë e zhvillimit të Shoqërisë;

c)      miraton planin e biznesit dhe planet vjetore të punës;

ç)   miraton projektet e investimit;

d)      miraton ngritjen e strukturave të tjera të Shoqërisë;

dh) kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e politikave dhe projekteve të investimit të Shoqërisë;

e)      miraton treguesit e performancës dhe monitoron performancën e saj;

ë)  siguron që auditimi i Shoqërisë të kryhet, për të respektuar dhe dhënë në çdo kohë garancitë që shoqëria ka marrë përsipër, sidomos ato në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

f)       përcakton pagat dhe shpërblimin e organeve dhe administratës së Shoqërisë;

g)      krijon komitete të posaçme lidhur me kontrollet e brendshme, përputhshmërinë ligjore dhe etike në Shoqëri;

gj) me kërkesë të drejtorit ekzekutiv, miraton procedurat për kontraktimin e konsulentëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të Shoqërisë;

h)      miraton aktet e brendshme rregullatore të Shoqërisë.

2.      Këshilli Mbikëqyrës miraton procedurat e hollësishme konkurruese, kriteret për negocimin, raportin e Grupit Negociator, si dhe autorizimin për lidhjen e kontratave me subjekte juridike, private apo publike, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar të aplikueshëm për prodhimin dhe tregtimin e armëve.

3.      Këshilli Mbikëqyrës miraton procedurat dhe kriteret për emërimin e personelit, si dhe një rregullore të veçantë mbi masat për ruajtjen e të dhënave të klasifikuara dhe sekretit tregtar të veprimtarisë së Shoqërisë, format e kontrollit të vazhdueshëm lidhur me marrjen e masave dhe procedura e mundshme administrative dhe penale që ndiqet në rast shkelje të këtyre rregullave.

4.      Këshilli Mbikëqyrës përmbush edhe detyra të tjera të parashikuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, legjislacioni tregtar në fuqi, statuti i Shoqërisë dhe akte të tjera  të brendshme të Shoqërisë.

Neni 20

Drejtori ekzekutiv

1.      Drejtori ekzekutiv është përfaqësuesi ligjor i Shoqërisë.

2.      Drejtori ekzekutiv përgjigjet përpara Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit Mbikëqyrës.

3.      Drejtori ekzekutiv emërohet dhe lirohet nga Asambleja e Përgjithshme. Kriteret dhe procedurat e emërimit dhe lirimit të drejtorit ekzekutiv rregullohen në statutin e Shoqërisë.

4.      Asambleja e Përgjithshme sigurohet që personi kandidat për pozicionin e drejtorit ekzekutiv të plotësojë kërkesat e legjislacionit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

5.      Paga e drejtorit ekzekutiv është konkurruese në raport me tregun, kredencialet dhe performancën në detyrë.

Neni 21

Kompetencat e drejtorit ekzekutiv

1.      Drejtori Ekzekutiv ka kompetencat si vijon:

a)      drejton veprimtarinë e Shoqërisë dhe zbatimin e politikave të caktuara nga programi i zhvillimit të Shoqërisë dhe legjislacioni në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes;

b)      përfaqëson Shoqërinë në marrëdhënie me të tretët;

c)      kujdeset për mbajtjen e saktë e të rregullt të dokumenteve dhe të librave kontabël të Shoqërisë;

ç)  përgatit dhe të nënshkruan bilancin vjetor, bilancin e konsoliduar dhe raportin e ecurisë së veprimtarisë, së bashku me propozimet për investimin e fitimeve;

d)   kujdeset që Shoqëria të respektojë ligjin dhe standardet e kontabilitetit, standardet dhe normat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe respektimin nga ana e personelit të detyrimeve të tyre, të parashikuar në legjislacionin e aplikueshëm për Shoqërinë;

dh) siguron që pasqyrat financiare vjetore, raportet e ecurisë së veprimtarisë, si dhe detyrimet e tjera të raportimit e publikimit, të detyrueshme në bazë të ligjit apo statutit, kryhen me saktësi nga Shoqëria;

e) krijon një sistem monitorimi e njoftimi të hershëm për rrethanat që kërcënojnë menaxhimin dhe performancën e Shoqërisë, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret e aplikushme nga Shoqëria;

ë) kryen regjistrimet e publikimet e detyrueshme të të dhënave të Shoqërisë, sipas legjislacionit në fuqi;

f)  raporton përpara Këshillit Mbikëqyrës dhe Asamblesë së Përgjithshme për zbatimin e politikave dhe veprimtarinë e Shoqërisë;

g)  siguron zbatimin e vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme, Këshillit Mbikëqyrës, legjislacionit dhe akteve të brendshme të Shoqërisë;

gj) detyra të tjera të parashikuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, legjislacioni tregtar në fuqi, statuti i Shoqërisë dhe akte të tjera të brendshme të Shoqërisë.

2. Drejtori ekzekutiv është i detyruar të sigurojë ngritjen, ruajtjen dhe funksionimin e infrastrukturës kibernetike dhe digjitale të Shoqërisë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

Neni 22

Personeli

1.      Struktura dhe organika e Shoqërisë miratohen nga Këshilli Mbikëqyrës.

2.      Marrëdhëniet e punës së personelit të Shoqërisë rregullohen në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë dhe aktet e brendshme rregullatore të Shoqërisë.

3.      Kriteret specifike të emërimit të personelit përcaktohen në aktet e brendshme të Shoqërisë.

4.      I gjithë personeli i Shoqërisë, pavarësisht funksionit dhe pozicionit që ka, ka detyrimin të respektojë normat dhe standardet e sigurisë, të konfidencialitetit dhe të sekretit tregtar dhe shtetëror.

5.      Organet drejtuese të Shoqërisë kujdesen për trajnimin e vazhdueshëm të personelit për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e veprimtarisë së Shoqërisë.

6.      Ndalohet punësimi i një personi të dënuar me vendim të formës së prerë, për pjesëmarrje ose financim në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste, pastrim parash ose financim i terrorizmit, vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, gjenocid, torturë, vrasje, akte të tjera të dhunshme, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, armëmbajtje pa leje, tregti të paligjshme armësh, krime ushtarake, apo sulme kibernetike.

7.      Shoqëria kryhen kontrolle të vazhdueshme, edhe pas punësimit të personelit, lidhur me përputhshmërinë ligjore të të punësuarve të saj.

8.      Shoqëria mund të angazhojë personel të përkohshëm ose ekspertizë të jashtme për pjesë të veprimtarisë së saj, të cilën nuk mund ta plotësojë me stafin në dispozicion. Personat e  angazhuar duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara nga aktet e brendshëm rregullatore të Shoqërisë.

Neni 23

Konflikti i interesit

1.      Personeli i punësuar në Shoqëri ndalohet të angazhohet në aktivitete private të lidhura me prodhimin, tregtimin, ose shpërndarjen e armëve, brenda ose jashtë vendit. Këto aktivitete përfshijnë, por nuk kufizohen në, dy punësimin në shoqëri të tjera private të armëve, lidhjen e kontratave private për prodhimin ose tregtimin e armëve, si dhe dhënien e shërbimeve të konsulencës, lidhur me industrinë e armëve.

2.      Në rastin e shkëputjes së marrëdhënies së punës me Shoqërinë, punonjësi është i ndaluar të angazhohet në një aktivitet konkurrues me veprimtarinë e Shoqërisë për një periudhë pesëvjeçare nga data e shkëputjes së marrëdhënies së punës.

Neni 24

Të dhënat konfidenciale

1.      Në funksion të zbatimit të politikave mbrojtjes dhe të sigurisë, aktivitetet e Shoqërisë do të ndahen në dy kategori:

a)      Aktivitete të klasifikuara përfshijnë çdo veprim, dokument, ose proces që përmban informacion sensitiv, të cilin duhet të trajtohet me kujdes dhe të klasifikohet sipas kërkesave të këtij ligji.

b)      Aktivitete të paklasifikuara përfshijnë veprimet e zakonshme të Shoqërisë që nuk përmbajnë informacion sensitiv dhe nuk klasifikohen.

2.      Aktivitetet klasifikohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e kualifikuar dhe procedurat e klasifikuara, si dhe me rregulloren e brendshme të Shoqërisë.

3.      Personeli i Shoqërisë, i cili ka administruar informacion të klasifikuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, si edhe pas përfundimit të saj, është i detyruar të ruajë konfidencialitetin dhe sekretin tregtar për fakte për të cilat është vënë në dijeni, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

4.      Autoritetet kompetente shtetërore kanë për detyrë t’i përdorin të dhënat tregtare të marra nga Shoqëria, vetëm për qëllimet e treguara në kërkesën e tyre për marrje informacioni, duke ruajtur konfidencialitetin rreth tij. Informacioni konfidencial tregtar dhe industrial mund të bëhet publik vetëm sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Neni 25

Dispozita kalimtare

1.      Ngarkohet Këshilli i Ministrave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes për zbatimin këtij ligji.

 

2.      Ministria përgjegjëse për mbrojtjen, brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndjek procedurat e nevojshme për:

a)        sigurimin e kapitalit fillestar;

b)        zgjedhjen e anëtarëve të organeve drejtuese të Shoqërisë;

c)        miratimin e statutit të Shoqërisë;

ç)    regjistrimin e Shoqërisë pranë regjistrit tregtar.

 

Neni 26

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYETARI

 

Lindita  Nikolla