Aktualitet

Rekord aplikimesh për azil, në Britani kryesuan shqiptarët vitin e kaluar!

Vitin e kaluar, kërkesat për azil shënuan rritje të ndjeshme duke arritur në nivelin më të lartë të pas pandemisë në Bashkimin Europian. Ndërkohë janë në nivele rekord në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas të dhënave të Eurostat-it e që prej 2020-ës, të dhënat i raporton për 27 vendet e Bashkimit Europian, pa Mbretërinë e Bashkuar, në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Unionit, niveli më i lartë nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.

Për shtetasit shqiptarë, Franca vijon të mbetet më e preferuara për azil, me 51% të totalit të kërkesave në BE-27 për 2022-shin. Gjermania renditet e dyta, me 19%, e ndjekur nga Italia dhe Greqia me nga rreth 10% secila. Në Belgjikë raportohet 4.5% e kërkesave totale për azil, ndërsa në Suedi 1.5%.

Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ishte destinacioni kryesor i azilit në Europë për shtetasit shqiptarë. Sipas shifrave zyrtare paraprake, pati rreth 14.2 mijë aplikime për azil prej tyre, pra më shumë se në të gjitha shtetet e tjera të Europës së bashku. 9 mijë e 573 u bënë nga njerëz që shkuan me varka në Britani.

Shumica e aplikantëve nga Shqipëria, 83% ose 11 mijë e 832 ishin meshkuj në moshë madhore. Mediat britanike theksuan se “kjo është rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme, kur afro 800 shqiptarë shkuan në Britaninë e Madhe me varka të vogla më 2021-shin e 50, më 2020-ën.

Më 2022-shin, shqiptarët mbajtën vendin e parë për numrin e aplikimeve. Të dhënat historike nga Eurostat (deri më 2019-ën) dhe Mbretëria e Bashkuar (nga 2020-ta) tregojnë se deri më 2021-in, ishin relativisht të ulëta ritmet e emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar, mes 3-4 mijë personave në vit.

Më 2022-in rritja qe e ndjeshme, duke u kthyer në shqetësim për autoritetet britanike. Në total, vitin e kaluar në Bashkimin Europian-27 e në Mbretërinë e Bashkuar aplikuan për azil rreth 27 mijë persona, niveli më i lartë nga 2016-ta.

Rekordi i aplikimeve vijon të mbetet viti 2015, me rreth 69 mijë shtetas që kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar. 2022-shi është viti i tretë më i lartë, pas fluksit të lartë të 2015-2016/ës./Monitor