Aktualitet

Rënie gurësh e orteqe bore në veri, vështirësi në qarkullim!

Reshjet e shiut e të dëborës në veri të vendit vijuan gjatë natës, deri në orët e para të mëngjesit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se reshjet me intensitet sollën rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës si në Bajram Curri-Fierzë km 12. Në Tamarë-Vermosh pati reshje dëbore dhe u punua me mjete e punëtorë, ndërsa qarkullimi kryhet pa probleme.

Në aksin Bogë-Theth, në zonën e tuneleve ranë orteqe, duke sjellë vështirësi në qarkullim e pastrimin e rrugës pasi rënia vazhdon aktive. “Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të mbajtur qarkullimin në normalitet”. ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar në kohë me reshje e të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë. Gjithashtu të ulin shpejtësinë e të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore

Për sot, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të territorit.

Në disa zona të territorit (veriperëndim, jugperëndim, verilindje) reshjet e shiut në periudha të herëpashershme parashikohen me intensitet të lartë. Reshjet me intensitet të lartë do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në zonën e Alpeve dhe verilindje parashikohen reshje të dendura dëbore. Mjegull/mjegullinë parashikohet për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim  juglindje-jugperëndim me shpejtësi nga 3-10m/s, ndërsa në bregdet dhe lugin era tepër intensive me fortësinë e Tufanit dhe shpejtësi që arrinë deri në 18-25m/sek deri në orët e mesditës. Më pas era humbet intensitet dhe shpejtësi deri në 1-8m/s. Valëzimi në dete fillimisht i forcës 5-7 ballë më pas 1-2 ballë. Temperaturat variojnë nga 3 në 15 gradë celcius.