Aktualitet

Rigjallërimi i Tiranës rurale, përfundon rruga e re/Lidh fshatin Shëngjin me qendrën e Shën Mërisë!

Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e rrugës së re që lidh Shëngjin me fshatin Shën Mëri në Shëngjergj. Kjo rrugë u vjen në ndihmë një mijë banorëve të zonës dhe jo vetëm. Përfundimi i punimeve u ndoq nga afër nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia.

Nëse shikon cilësinë si është punuar këtu, nuk dallon fare nga punët që bëhen në qytet. Kjo është provë e standardit të barabartë. Edhe rruga e re e Krrabës solli jetë. Rruga sjell mundësi dhe unë besoj se do të rikthejë jo vetëm njerëzit që i kanë rrënjët e tyre në fshat, por jam i sigurt se do të sjellë njerëz nga qyteti që ose duan të dalin në pension këtu ose të hapin një agroturizëm ose të investojnë në tokat e fshatit. Kur bëmë rrugën e re të Qehasë, atëherë nuk kalonte njeri, ndërkohë sapo mbaroi rruga, metri katror shkoi nga 10-15 mijë lek në 100-120 euro.

Veliaj tha se në planet e Bashkisë së Tiranës është dhe rigjallërimi i jetës në fshatra, me aktivitete të shumta social-kulturore, që sjellin më shumë ekonomi.

Befas rruga kthehet në një mundësi të shumëfishtë, që krijon ekonomi për fshatin. Na duhet të kapim kohën e humbur. Kemi pasur 30 vite letargji, njerëzit kanë ikur dhe ekonomia rurale është reduktuar, kështu që tani na duhet ta shtojmë. Një nga planet tona është të sjellim jetë në këto komunitete. Pra, fillimisht rrugë dhe infrastrukturë, pastaj siç kemi bërë “Festën e Domates”, “Festën e Vreshtit” apo “Festën e Vajit”, kështu do të gjejmë edhe për fshatin Shën Mëri një arsye që të kthejmë njerëzit këtu.

Kreu i Bashkisë u shpreh se shembujt e suksesit janë të shumtë, si Farka dhe Dajti, ku falë investimeve, është rritur jo vetëm vlera e tokës, por edhe ekonomia e familjeve.

Shumë fshatra ose zona rurale që ne i nisëm me projektet përpara 8 vitesh, sot thuasje janë bërë si zonat urbane, në mos edhe më të çmuara, për nga vlera e tokës apo e shtëpive në ato vende. Sot Farka apo Dajti janë bërë zona elitare sepse kanë pasur një lidhje direkte mes investimit të rrugës dhe ekonomisë që ka ardhur në atë fshat. Më në fund, mund të themi se ShënGjergji, Shën Mëria dhe ShënGjini sot janë lidhur mjaftueshëm me infrastrukturë për të qenë ndoshta një vend ideal për fundjavë, për të lidhur prapë rrënjët me fshatin.

Në emër të gjithë banorëve, deputeti i zonës, Xhemal Qefalia shprehu mirënjohjen për vëmendjen që bashkia i ka kushtuar përmirësimit të infrastrukturës edhe në zonat rurale.

Ky është investimi që i bëhet këtyre zonave. Ndihem shumë i vlerësuar si deputet i zonës, që fjalët e dhëna nga kryetari i Bashkisë janë bërë realitet. Fakti që ai fitoi me 60 mijë vota plus tregon se e mban fjalën, i mban premtimet e dhëna dhe është këtu sot për qytetarët, jo se kemi votim nesër, por për t’u shërbyer atyre edhe në të ardhmen.

Po ashtu është realizuar sistemimi i oborrit të shkollës ”Vesel Tila” dhe i ambienteve në afërsi të saj.